Mbajtja e vendit të parë dhe konfirmimi i besimit për ecurinë. Ky ishte objektivi i PSG-së në mbrëmjen e së premtes në Parc des Princes. Me një 4-2-3-1, formacioni i Mauricio Pochettino zbriti në fushën e lojës për të pritur Montpellier.
Të rritur nga tre fitoret e tyre radhazi, parizienët hynë në këtë takim me shumë vendosmëri. Të përqendruar, të disponueshëm dhe të saktë në qarkullimin e topit, kampionët e Francës kishin gjithçka nën kontroll.
Një gol i shënuar në minutën e 34-ët me autor Mbappé e bëri gjithçka më të lehtë, pa harruar se kundërshtari humbi dhe shërbimin e portierit Omlin, i ndëshkuar me kartonin e kuq.
Në pjesën e dytë, kombinimi Mbappé-Neymar solli dhe dyfishimin e rezultatit në minutën e 60-të, që mban firmën e brazilianit. Një minutë më vonë në skenë shfaqet Icardi për të sigluar 3-0, ndërsa pas dy minutash shërben për Mbappé, i cili kompletoi fitoren 4-0. Tre gola për tre minuta, sulmi i PSG-së tregohet i pamëshirshëm.