RTSH Sport Live

Memaliaj reziston në Kategorinë e Dytë

  • 05/06/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Memaliaj reziston në Kategorinë e Dytë
Fitore në kohë shtesë ndaj Osumit, 3-1, ndërsa shënohen dy gola për një minutë

Memaliaj shpëton në frymën e fundit, ndërsa arrin të qëndrojë në Kategorinë e Dytë për sezonin 2021-2022. Pikërisht në finalen e Play-out me vendin e tretë të Kategorisë së Tretë, që ishte Osumi, është kërkuar koha shtesë për të përcaktuar fituesin. Ndeshja është luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, ndërsa pamjet e këtij takimi po i ndiqni në këtë kronikë. Pjesa e parë do të përfundonte pa gola.

Në pjesën e dytë, brenda një minute shënohen dy gola, duke fiksuar barazpeshën e plotë mes dy skuadrave. Daullxhiu kalon në avantazh Osumin në të 72’ dhe sapo është vënë topi në qendër, ndërsa lojtarët e kësaj skuadre vazhdonin festimin e golit të avantazhit, Memaliaj gjen barazimin me anë të Zogës.

Në fundin e shtesës së parë për Memaliajn ka shënuar Sinaj dhe ai që i vë vulën suksesit të kësaj skuadre është Mamaj në fundin e lojës. Me këtë fitore në kohë shtesë, Memaliaj siguron qëndrimin në Kategorinë e Dytë.