RTSH Sport Live

Mercedes, më i shpejti në Stamboll

  • 09/10/2021
  • |
  • Formula 1
Mercedes, më i shpejti në Stamboll
Por Hemilton niset i 11-ti, për shkak të një ndëshkimi. Gara, të dielën në RTSH

Kampionati Botëror i Formulës 1 zhvillon në fundjavë garën e 16-të të këtij sezoni, që është ajo e Çmimit të Madh të Turqisë. Dhe të shtunën janë zhvilluar provat zyrtare, ku Ljuis Hemilton ishte më i shpejti, por do të niset nga vendi i 11-të, për shkak të një ndëshkimi që ka ardhur për arsye se ai ka ndërruar pjesë të motorit të makinës së tij. Kjo nënkupton se shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas, i cili regjistroi kohën e dytë më të shpejtë, do të niset nga vendi i parë të dielën, ndërsa përkrah tij, në radhën e parë, do të niset piloti i “Red Bull”-it, Maks Verstapen.

Kërcënimi i reshjeve të shiut nuk u materializua plotësisht, përveçse një vese në seancën e parë të provave zyrtare, ku Hemiltoni ishte më i shpejti, por vetëm 7 të mijëtat më i shpejtë sesa Maks Verstapeni. Piloti britanik i “Mercedes”-it e përsëriti këtë edhe në seancën e dytë, duke vijuar tya vulosë paraqitjen e tij të shkëlqyer edhe në seancën e 3 dhe vendimtare të provave zyrtare ku regjistroi kohën 1 minutë, 22 sekonda e 868 të mijëtat, që është në fakt edhe rekordi i ri i pistës në Stamboll.