RTSH Sport Live

Merkato, Seferi e Champions: flet Orges Shehi

  • 24/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Merkato, Seferi e Champions: flet Orges Shehi
Tekniku bardheblu është i kënaqur nga përgatitjet në Turqi dhe beson te kualifikimi

Me intensitet të lart, harmoni të plotë, ndonjë këngë më shumë e ndonjë lojtar më pak, Tirana po i afrohet mbylljes së fazës përgatitore, në funksion të sezonit të ri, por mbi të gjitha debutimit në Champions League kundër Dudenlange. Merkato nuk shkoi si mendonin bardheblutë me gjashtë të larguar e vetëm tre të afruar mbi të gjitha me qendrën e mbrojtjes që për momentin pësoi refuzimin e Ajetit, por tekniku Orges Shehi nga Turqia është i kënaqur me atë që i ka treguar skuadra në aspekt forme e rezultatesh, referuar tre testeve të kryera deri tani.

“Sigurisht që fokusi është tek ngarkesa fizike, por kur kjo meret me ndeshje përballë kundërshtarëve të niveleve të mira, kjo besoj se na shërben. Jemi të kënaqur me atë që po japin lojtarët dhe kjo besoj se nga dita në ditë do na shërbejë akoma më shumë, pa harruar që kemi dhe një ndeshje tjetër të shtunën, pastaj do të kthehemi në Shqipëri dhe shumë pak ditë na ndajnë nga ndeshja e Champions”.

Merkato vetëm e mbyllur nuk është dhe vetë tekniku ka kërkuar tre lojtarë të tjerë për të kompletuar organikën në tentativë për të bërë edhe ndonjë kapërcim në kualitet, duke parë edhe shifrat me të cilat kryeqytetasit kanë hyrë në lojë për një qendërmbrojtës. Natyrisht, të kishte skuadrën e plotësuar në fazën pre-sezonale do të kishte qenë më mirë, por Shehi mundohet ta shohë gotën gjysëm-plot.

“Akoma nuk kemi plotësuar vendin që ka lënë Hoxhallari. Na ka dalë dhe një problem me Tolin, që nuk dihet se si do të zgjidhet, po e prisnim që të ishte këtu, pjesë e jona. Kështu na shtohet dhe një mungesë tjetër. Ato që kemi patur në qendër të merkatos, edhe për disa gjëra të vogla, nuk është arritur që të konkretizohen. Do të vazhdojmë të jemi në merkato, sepse na duhen dy-tre lojtarë për të siguruar të gjithë pozicionet ku kemi nevojë”.

Kundër Dudenlange do të jetë, ajo që është një dilemë e madhe, për të cilën edhe vetë tekniku nuk mund të jetë një përgjigje me siguri absolute, është nëse do të mund të ketë në skuadër akoma golashënuesin e lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar Taulant Seferi, mbi të cilin vërtiten oferta të rëndësishme. Një largim i 25 vjeçarit do të krijonte një gropë të thellë në kualitet, por do ti jepte arkave të klubit likuiditet të konsiderueshëm për të manovuar akoma në merkato.

“Në rrugëtimin tonë në Europë, ku ne duam të zgjasë sa më shumë, është e sigurtë që Taulanti është me ne. Do vazhdojë të luajë po me atë përqëndrim, sepse fokusi i tij është tek e tashmja, tek skuadra, pastaj të gjithë së bashku do të vendosim se çfarë na afrohet, çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim, nga vlerat e një lojtari të tillë por dhe nga të ardhurat që do të sjellë në klub”.

Ajo që për momentin ka më shumë rëndësi se gjithcka është kalimi i raundit të parë të Champions kundër Dudenlange, që do të thotë të tjera qindra mijëra euro. Luksemburgasit nuk janë ajo skuadra e tre viteve më parë kur luante kundër Milanit, por asnjë nënvlerësim nga të besuarit e Shehit, që në sfond shohin Cluj.

“Dudenlange është një skuadër e fortë, pavarësisht se flitet se është një kundërshtar i lehtë. Do të gabojmë nëse do të mendojmë se është një kundërshtar i lehtë, ka qënë dy herë në grupet e Europa League. Duke parë shortin, skuadrat që ishin, kjo është më pak e forta, por nuk do të thotë se nuk është e fortë. Do të jetë një gabim i madh nëse do mendojmë për turin e dytë. Nuk kemi luksin të neglizhojmë asnjë kundërshtarë. Në Champions janë të gjithë të fortë, jo më kot e ka koefiçentin 8, pra bën pjesë në vazon e parë. Gjithsesi, ne nuk do të futemi në fushë me idenë se ne jemi inferiorë dhe ata janë superiorë. Në psikologjinë tonë është që futbolli luhet 11 me 11 dhe do të tentojmë me të gjitha forcat që të kalojmë turin”.

Tirana pasi ka kryer tre teste miqësore, duke humbur 1-2 kundër Dinamo Auto Tiraspol, fituar 2-0 me Shkupin dhe barazuar pa gola me rumunët e Hermannstad, kanë në program edhe një miqësore kundër Fenerbahce në 25 korrik, përpara se të kthehen në datën 27 në kryeqytet.