RTSH Sport Live

Mesjava, e mbushur me emocione sportive në RTSH

  • 17/01/2022
  • |
  • Futboll Bota
Mesjava, e mbushur me emocione sportive në RTSH
Ofron 7 duele të Kupës së Gjermanisë, Kupës së Spanjës dhe Kupës së Ligës Angleze

Mesjava premton spektakël dhe drithërima në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, pasi janë plot 7 përballje që do të vijnë drejtpërdrejt në transmetuesit publik. Kupa e Spanjës, që njihet ndryshe si Kupa e Mbretit, Kupa e Gjermanisë, por edhe Kupa e Ligës Angleze do të ofrojnë të tjera emocione, teksa gjithçka ka hyrë tashmë në fazën më interesante. Gjithçka zë fill të martën, me përballjen e parë të vlefshme për turin e 16-shes së edicionit të 79-të të Kupës së Gjermanisë, midis Këlnit dhe Hamburgut, që do të vijë drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 18:25.

Ndërkaq, po të martën, por duke nisur nga ora 20:45, do të vijë po në RTSH Sport një tjetër takim i të vlefshëm për turin e 16-shes së Kupës së Gjermanisë, midis fitueses në fuqi të këtij trofeu, Borusias së Dortmundit, dhe St. Paulit. Veprimtaria e dytë e futbollit gjerman do të vazhdojë të jetë e pranishme edhe të mërkurën në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, teksa në kanalin RTSH 2 do të vijë drejtpërdrejt përballja Lajpcig - Hansa Rostok, që nis në ora 18:25.

Ndërkaq, duke nisur nga ora 20:55, në RTSH Sport do të rikthehet Kupa e Spanjës, e cila ka edhe 3 duele për të zhvilluar në kuadër të turit të 16-shes. Kështu, të mërkurën në mbrëmje do të vijë dueli Real Sociedad - Atletiko e Madridit. Kurse të enjten, duke nisur nga ora 18:55, do të vijë fillimisht përballja tjetër, Elçe - Real i Madridit, kurse duke nisur nga ora 21:25, fituesja në fuqi e trofeut të dytë të futbollit spanjoll, Barcelona, do të jetë mysafire në fushën e Atletik Bilbaos, në duelin e fundit që do të përmbyllë edhe duelet e turit të 16-shes.

Dhe, së fundmi, një tjetër ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar është edhe Kupa e Ligës Angleze, e cila luan të enjten duelin e fundit të gjysmëfinaleve, atë midis Arsenalit dhe Liverpulit. Dhe sikundër ka ndodhur edhe me çiftin tjetër të gjysmëfinaleve, përveç transmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjes, që nis në ora 20:45, para dhe pas saj do të vijë në RTSH Sport një bisedë e posaçme me të ftuar në studio. Me pak fjalë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar vazhdon të mbetet adresa e zgjedhur e çdo sportdashësi.