RTSH Sport Live

Messi e Griezman “shpërthejnë” Granada-n

  • 09/01/2021
  • |
  • Spanjë
Messi e Griezman “shpërthejnë” Granada-n
La Liga, Nuevo Los Carmenes – Granada 0 Barcelona 4 (Griezmann 12’, 63’, Messi 35, 42’)

Lionel Messi dhe Antoine Griezmann kanë treguar se partneriteti mes tyre mund të funksionojë, ashtu siç treguan dhe në sfidën e sotme në fushën e Granada-s. Dy gola për Messi dhe dy për Griezmann dhe katalanasit fluturojnë me një fitore 4-0, që do të thotë se vendi I tretë në klasifikim nuk mund të preket nga askush.

Antoine Griezmann hapi ndeshjen pas 12 minutash, megjithëse në rrethana të diskutueshme, pasi vendasit pretenduan se francezi ndodhej në një pozicion jashtë loje. Më pas në skenë është ngjitur Messi, duke bërë atë që din të bëjë më mirë, dy gola në pak minuta, duke mos lënë asnjë mundësi për kundërshtarin që të rikthehet në lojë.

Griezmann në pjesën e dytë arriti të shënojë dhe golin e dytë personal, të katërtin për Barcelonën, duke firmosur kapitullimin e plotë të Granada-s. JesusVallejo u ndëshkua me karton të kuq dhe Granada e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë.

Fitorja e çon Barcelonën në 34 pikë në tabelën e La Liga, vetëm dy pikë prapa Real Madrid që përballet me Osasuna. Shtyrja e ndeshjes në shtëpi të Atletico Madrid kundër Bilbaos për shkak të borës e sheh Barçën të ngushtojë diferencën në katër pikë me vendin e parë.