RTSH Sport Live

Milani humbet, Interi nuk përfiton

  • 23/01/2021
  • |
  • Itali
Milani humbet, Interi nuk përfiton
Atalanta ka ulur me këmbë në tokë kuqezinjtë duke i mundur 3-0 në “San Siro”. Interi, barazim pa gola në fushën e Udinezes

Milani është dorëzuar përballë Atalantës në “San Siro”, duke pësuar një humbje 0-3. Gjithsesi, kjo disfatë nuk i ka penguar kuqezinjtë të ruajnë vendin e parë, pasi ndjekësi më i afërt, Inter nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 në fushën e Udinezes.

Në “San Siro”, kuqezinjtë janë goditur që në minutën e 26-të nga një gol kopertine i Romero-s. Në pjesën e dytë, Kessie ka shkaktuar një penallti, duke i dhënë mundësinë formacionit të Gasperinit të dyfishojë rezultatin në minutën e 53-të me Ilicic.

Goli i tretë mban firmën e Zapata, i cili konkretizoi në mënyrën e duhur një kundërsulm të shpejtë të Atalantës.

Ndërkohë, Interi nuk ka mundur të përfitojë nga humbja e kuqezinjve. Zikaltërit, përballë një kundërshtari të lehtë në letër, në asnjë moment nuk kanë mundur të tregojnë potencialin e tyre, atë që u pa në ndeshjen me Juventus.

Gjithçka është mbyllur në barazim 0-0, Inter mbetet dy pikë larg skuadrës kryesuese, Milan.