RTSH Sport Live

Milani mban gjallë ëndrrën europiane

  • 25/11/2021
  • |
  • Futboll Bota
Milani mban gjallë ëndrrën europiane
Mposht 1-0 Atletikon e Madridit në Spanjë dhe mbetet “në valle” për kualifikimin

Janë luajtur të mërkurën 8 ndeshjet e 4 grupeve të tjera të Ligës së Kampioneve dhe takimi më i zgjedhur i së mërkurës, i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1 ka qenë ai i grupit B, ku Atletiko e Madridit ka pritur Milanin. Përkundër faktit që luante në fushë të huaj dhe kishte praktikisht mundësinë e fundit për të mbetur në lojë në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, ka qenë Milani që ka mbizotëruar sa i përket vëllimit të lojës dhe kontrollit të topit, por kanë munguar rastet e pastra për shënim përballë një Atletikoje të kënaqur të merrte një pikë të vyer. Për rrjedhojë, pjesa e parë e kësaj përballjeje të luajtur në kryeqytetin spanjoll është mbyllur me rrjeta të paprekura. 

Edhe 45 minutat e dyta do të ofrojnë të njëjtën tablo, me Milanin që jo vetëm mbizotëron në lojë, por ndryshe nga pjesa e parë, edhe ndërton raste të volitshme për shënim, kryesisht në gjysmëorën e fundit, edhe për meritë të ndërrimeve të bëra nga trajneri Pioli. Minutat e fundit kanë qenë të ethshme dhe kanë parë kuqezinjtë që të sulmojnë pandërprerë dhe, vetëm 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, gjigandja italiane do ta gjejë dot golin që do të thonte shumëçka.

Nënshkrimi i suksesit është Messias tre minuta para përfundimit të ndeshjes me një goditje me kokë që që ka mposhtur Oblak. Ky gol i ka bërë italianët ta shmangin për momentin mundësinë e dhënies së lamtumirës veprimtarive kontinentale, teksa do të vijojë betejën me Porton dhe Atletikon do të luftojnë për biletën tjetër për në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve, por edhe për vendin e 3-të, që të çon në Ligën e Evropës.