RTSH Sport Live

Milani, problemi me rinovimet

  • 01/04/2021
  • |
  • Itali
Milani, problemi me rinovimet
Optimizmi që nuk ka munguar asnjëherë në zyrat e Shtëpisë së Milanit, po ia le vendin nervozizmit

Menjëherë pas pushimit, për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Milan, i rikthehet punës dhe mendon për kampionatin. Në vigjilje të Pashkëve, është ndeshja me Sampdorian, por te shoqëria kuqezi, një argumentet më të diskutuara, dy muaj para përfundimit të kampionatit, është çështja e rinovimit të kontratave që skadojnë, të disa lojtarëve.

Donnarumma është i pari, më pas Calhanoglu e Kessie. Me Ibrahimovic, situata duket më e qartë. Momenti më kulmor për Maldinin dhe shoqërinë, është të gjejë zgjidhjen e duhur për të mos humbur lojtarë me parametra zero, ose me çmim më të lirë. Situata duket e mjegullt në fakt, e optimizmi që nuk ka munguar asnjëherë në zyrat e Shtëpisë së Milanit, po ia le vendin nervozizmit.

Bisedimet me menaxherët e disa lojtarëve kanë nisur prej muajsh, por asnjë marrëveshje nuk është arritur ende. Situata më e ndërlikuar është ajo e Gigio Donnarumma. Kontrata e portierit të Kombëtares Italiane, i datëlindjes 1999, skadon në qershor, e të gjitha propozimet e bëra nga drejtuesit e kuqezinjve Mino Raiolas, deri tani janë hedhur në kosh.

Milan i ofron portierit 8 milion euro në vit, por kjo ofertë është quajtur tepër e ulët nga agjenti, që kërkon 10 milion euro plus bonuset. Situata është në ajër, e gjithçka është në dorë të dëshirës së vetë Donnarummas, ndërkohë që portieri 21 vjeçar, është betuar për të dashuri të përjetshme me Milanin. Për momentin oferta nga jashtë Italisë nuk ka, por situata mund të ndryshojë menjëherë pas përgjigjes së lojtarit.

Gjithsesi Milan po shikon edhe alternativa të tjera, për të zëvendësuar Gigion. Pezull është edhe situata për Hakan Calhanoglu. Edhe me përfaqësuesit e futbollistit turk, bisedimet për rinovimin vazhdojnë prej muajsh, por pa arritur asnjë marrëveshje. Shuma prej 10 milion eurosh e kërkuar nga numri 10 i Milanit është qujatur tepër e lartë nga shoqëria kuqezi.

Për Kessie në fakt nuk ka shumë nxitim, sepse ai ka ende edhe një vit kontratë, por sirenat e alarmit nga skuadra të tjera, kanë nisur të dëgjohen. Sepse si asnëherë tjetër, këtë sezon, Kessie është bërë lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën e Piolit. Menaxheri i futbollistit kërkon për rinovimin 5 milion euro në sezon, një sforco e madhe kjo për arkat e Milanit, që duhet të mbajë me çdo kusht mesfushorin e vet.

Për Zlatan Ibrahimovic nuk ka asnjë pengesë për rinovimin, të paktën jo në nivel menaxherësh. Por të dy palët kanë rënë dakort që të ulen në fund të sezonit për të folur për rinovimin.