RTSH Sport Live

Ministria e Shëndetësisë vendos: Volejbolli e basketbolli, të ndaluar

  • 26/10/2020
  • |
  • Të tjera
Ministria e Shëndetësisë vendos: Volejbolli e basketbolli, të ndaluar

Lamtumirë Liga Unike Shqipëri – Kosovë, edhe pse pati bekimin e kryeministrit të vendit, Edi Rama! Lamtumirë volejboll dhe basketboll, sepse Komiteti Teknik i Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë ka vendosur që këto sporte, të cilat luhen në ambiente të mbyllura, janë të rrezikshme në këtë situatë Covid-19. Kjo është përgjigja që zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, i ka kthyer Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Basketbollit, që kanë kërkuar lejimin e stërvitjeve dhe fillimin e aktiviteteve në Pallate Sportit. As më pak e as më shumë, por janë shtatë muaj që nuk luhet as volejboll e as basketboll. Në shkresat dërguar Federatave Shqiptare të Volejbollit dhe Basketbollit, duke i specifikuar si disiplina sportive, nënvizohet: “Aktivitetet sportive, përfshirë volejbollin e basketbollin, konsiderohen aktivitete me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19, bazuar në pikën 2 të Urdhërit nr.326, datë 15 maj 2020, për kufizimin e aktiviteteve sportive të ndryshuar”. Që do të thotë, gjithnjë sipas shkresës me nr.prot 3921, datë 19 tetor 2020, se aktivitetet sportive dhe stërvitjet e sportistëve në ambientet e mbyllura do të vijojnë të jenë të ndaluara. Shkresa në fakt ka mbërritur vetëm të hënën e 26 tetorit nëpër Federata. Madje u është kujtuar drejtuesve të Federatave, në mënyrë të veçantë sekretarëve të përgjithshëm Albens Vokopola dhe Korab Llazani, se grumbullimet masive në vende të mbyllura, apo të hapura janë të ndaluara. “Ndaj  – vijon shkresa –  nuk është e mundur hapja e volejbollit dhe e basketbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet në përhapjen e infeksionit Covid-19”. Por bashkë me lojërat me dorë janë të “djegura” dhe peshëngritja, mundja, boksi, pingpongu, artet marciale, të cilat kërkojnë ambiente të mbyllura për t’u zhvilluar. Pra, parë kështu, pas bllokimit të futbollit për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste, e cila është në pritje të plotësimit të kërkesave nga Qeveria, edhe sportet e tjera janë tërësisht të stopuara. Justifikimi është...rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19...