RTSH Sport Live

Miqësoret me Turqinë, Shqipëria U-17 nis grumbullimin

  • 14/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Miqësoret me Turqinë, Shqipëria U-17 nis grumbullimin
Trajneri Ervin Bulku thërret 25 futbollistë, përgatitje për Elite Round

Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç, që drejtohet nga Ervin Bulku, që nga 15 janari nis grumbullimin në Durrës për t’u përgatitur për dy ndeshjet miqësore me Turqinë. Dy ballafaqime, të cilat do të luhen më 18 dhe 20 janar, respektivisht në Arenën Kombëtare në ora 17:00 dhe në “Elbasan Arena” në ora 15:00. Në të njëjtën kohë këto ndeshje janë përgatitore për kuqezinjtë e vegjël, që në mars në Elite Round do të ndeshen me Francën, Zvicrën dhe Letoninë. Ndeshje të cilat do të luhen në vendin tonë.

Trajneri Ervin Bulku shpalli listën me 25 futbollistët e thirrur për të përfaqësuar Shqipërinë në këto dy sfida miqësore, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë aktivë dhe të ftuar edhe më parë nga ekipi kombëtar. 12 prej tyre luajnë në kampionatet e huaja duke u aktivizuar me ekipe si VFB Shtutgart, Sampdoria, Peruxhia, Sudtirol, Breshia etj., ndërsa pjesa tjetër luajnë në kampionatin shqiptar. Ndeshjet kundër Turqisë do të ngrenë edhe siparin e grumbullimeve, seleksionimeve e takimeve të tjera miqësore në kuadër të përgatitjeve të ekipit kombëtar U-17 për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Objektivi kryesor i kuqezinjve është kualifikimi në finalen e Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç, që zhvillohen në maj në Hungari. Ja dhe lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Ervin Bulku për miqësoret e janarit me Turqinë.