RTSH Sport Live

Miqësorja Teuta – Partizani, sot në RTSH (17:30)

  • 13/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Miqësorja Teuta – Partizani, sot në RTSH (17:30)
Trajneri italian, Kolela, debuton në stolin e të kuqve, Arapi teston grupin

Menjëherë pas prezantimit të mërkurën nga presidenti i klubit, Gaz Demi dhe drejtori sportiv Elton Marini, trajneri i ri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka nisur punën me grupin e lojtarëve në përgatitje për sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Dhe vetëm dy ditë pas emërimit, 56-vjeçari do të ketë sot provën e tij të parë në krye të stolit të të kuqve kryeqytetas, teksa Partizani do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Teutën. Kjo ndeshje, që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1, duke nisur nga ora 17:30. Italiani Kolela nuk është një emër i panjohur për futbollin shqiptar, pasi më herët ka qenë edhe trajneri i Apolonisë, duke e udhëhequr atë në 7 ndeshje, ku korri vetëm një fitore, mori dy barazime dhe pësoi 4 humbje, ndërsa tanimë ka marrë vendin e lënë bosh nga shkarkimi i trajnerit Dritan Mehmeti.

Si Kolela, ashtu edhe trajneri i Teutës, Renato Arapi do të kenë mundësi të shohin gjendjen e lojtarëve në dispozicion. Teuta ka filluar prej 4 korrikut përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2022-2023. Blutë, nën drejtimin e Renato Arapit, kanë ndryshuar pamje nga sezoni i fundit. Kjo për shkak se tentohet rikthimi te sukseset, pas dështimit në edicionin e shkuar. Çfarë bie në sy te lista aktuale e lojtarëve të Teutës është se 2-3 lojtarë janë mbi 29 vjeç. Arapi ka vendosur deri tani që ekipi i ri të ndërtohet pa veteranë, që Teuta i mbante në gjirin e saj. Me kalimin e ditëve, skuadra e Teutës po e rrit dozën e ngarkesave në përgatitje.

Sakaq, i vetmi që nuk i është bashkuar ende grupit është mbrojtësi Xhekson, i cili vuan nga një dëmtim i mbartur nga sezoni i kaluar. Këto ditë të përgatitjeve i kanë shërbyer të gjithë skuadrës për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, pasi shumë pak futbollistë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Dhe miqësorja e sotme do të jetë një test i dobishëm për durrsakët.