RTSH Sport Live

Misioni titull vazhdon, Struga e Shkëndija nuk ndalen

  • 03/04/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Misioni titull vazhdon, Struga e Shkëndija nuk ndalen
Rezultatet në javën e 25-të të kampionatit maqedonas, dy skuadrat shqiptare fitojnë në fundjavë

Java e 25-të në kampionatin e Maqedonisë së Veriut prodhoi sa rezultate të bukura, por edhe aq interesante. Struga, drejtuar nga Shpëtim Duro vazhdon të udhëheqë në klasifikim në kuotën e 49 pikëve. Këtë javë, ekipi strugan mposhti në shtëpi me shifrat 3-1 Akademinë Pandev. Në takimet e tjera Shkëndija e Tetovës po kalon një moment të mirë në kampionat, skuadra drejtuar nga Qatip Osmani merr fitoren e katërt radhazi.

Këtë javë, kuqezinjtë fituan ndaj Pobedas me rezultatin 2-0 dhe shohin kreun vetëm 5 pikë larg në 7 javë të mbetura. Në momentin që duhej të mbante ritmin e Shkëndijes dhe Strugës, Shkupi bën një hap fatal në luftën për titullin kampion.

Këtë javë bardheblutë u mposhtën 0-1 nga Skopje, drejtuar nga ish-trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz. Në dy takimet e tjera, Makedonija fitoi 2-1 ndaj Rabotnickit, ndërsa takimi i vetëm që përfundoi në barazim 0-0 ishte mes Bregalnicas dhe Tikvesh.