Ashtu siç ishte njoftuar më parë, Francesco Moriero në rolin e trajnerit dhe Fabrizio Miccoli në rolin e zv-trajnerit, kanë bërë prezantimin në ambjentet e klubit Dinamo. Presidenti Marco Pontrelli, së bashku me administratorin Ermal Barushi kanë bërë prezantimin e stafit të ri, duke pretenduar rikthimin e skuadrës në nivelet që i takon. Kujtojmë që Dinamo militon në Kategorinë e Parë dhe udheheq Grupin A me 20 pikë në tetë javë të luajtura.
Gjatë prezantimit, trajneri i ri i skuadrës dinamovite, Moriero u shpreh: “Dua që Dinamo të krijojë identitetin e saj. Bashkë me Miccolin kemi parë disa ndeshje dhe mund të them se skuadra ka shumë potencial. Nuk mund të jap premtime, sepse premtimet nuk ekzistojnë në futboll, të marrim ndeshjet me radhë dhe ti fitojmë”.
“Paraja nuk është çdo gjë. Kam ardhur edhe më parë këtu, për të ndjekur disa lojtarë. U krijuan lidhjet dhe presidenti më thirri për një bashkëbisedim. U fol për një skuadër që është në vend të parë, e kuptova rëndësinë. Objektivi është që të vazhdojmë me këto rezultate. Të punojmë çdo ditë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”
Ndërkohë, zv-trajneri Miccoli u shpreh: “Në Itali kam akademinë time dhe isha shumë mirë. Erdha në Shqipëri për të punuar me Morieron, të cilin e kam mik. Kjo është përvoja e parë si trajner. Identiteti i klubit nis nga të rinjtë, që në këtë rast është përgjegjësi e imja këtu te Dinamo. Nëse do të zgjidhja një shembull, do të thoja Benfika. Fjalët për Falkonen? Ka ndodhur në vitin 2008 dhe kam kërkuar falje”