RTSH Sport Live

Moto GP, Aprilia zyrtarizon kontratën me Vinjalesin

  • 16/08/2021
  • |
  • Moto GP
Moto GP, Aprilia zyrtarizon kontratën me Vinjalesin
Piloti problematik dhe skuadra italiane firmosin për bashkëpunim njëvjeçar

Ishte diçka që pritej, por të hënën është bërë zyrtare, teksa skuadra e “Aprilia”-s ka bërë të ditur se ka nënshkruar me Maverik Vinjalesin për sezonin e ardhshëm të Moto GP-së, teksa ai po përgatitet të mbyllë sezonin aktual me “Jamaha”-n. Skuadra japoneze pati njoftuar në qershor, pas Çmimit të Madh të Asenit në Holandë, se me kërkesë të pilotit spanjoll, kishte vendosur mbylljen e bashkëpunimit me fituesin e 9 garave në Moto GP në fund të këtij sezoni, një vit para skadimit të afatit të kontratës aktuale.

Vinjalesi iu bashkua “Jamaha”-s në 2017-ën, duke ardhur nga Suzuki, por ka patur një marrëdhënie të vështirë me markën japoneze, një marrëdhënie që ënjtë përkeqësuar në javët e fundit, teksa forma e tij ka rënë ndjeshëm që kur fitoi Çmimin e Madh të Katarit. Madje gjithçka u kris javën e shkuar, teksa skuadra japoneze e pezulloi atë dhe e tërhoqi nga gara e dytë në pistën austriake, teksa u mësua se ai ishte përpjekur të digjte motorin në garën e parë.

Vinjalesi më pas kërkoi ndjesë për këtë, duke ia mveshur veprimet e tij stresit si rrjedhojë e gjendjes së krijuar tek “Jamaha”. Nuk dihet ende nëse piloti spanjoll do të garojë sërish këtë sezon për “Jamaha”-n. Ndonëse kalimi i tij tek “Aprilia” u përfol, por si marka italiane ashtu edhe piloti e patën mohuar. Por tanimë është konfirmuar nënshkrimi i një kontrate njëvjeçare, teksa Vinjalesi do të zëvendësojë të riun Lorenco Savadori dhe do t’i bashkohet Aleiks Espargarosë vitin që vjen, me të cilin ka qenë bashkë tek Suzuki në 2015-ën and 2016-ën.