RTSH Sport Live

Moto GP, Honda po rikthehet

  • 27/10/2021
  • |
  • Moto GP
Moto GP, Honda po rikthehet
Në Mizano, Markez dhe Espargaro në vend të parë e të dytë

728 ditë. Kanë kaluar pothuajse dy vite që nga hera e fundit që Honda fitoi një botëror në MotoGP. Hera e fundit ishte në Australi 2019, si gjithnjë me Marc Márquez që fitoi garën në Phillip Island pasi ishte shpallur kampion bote për herë të tetë dhe me Cal Crutchloë, atëherë me LCR Honda, që e shoqëroi në vendin e dytë të podiumit.

Që atëherë, shumë presion dhe mbi të gjitha shumë zhgënjime te Honda për shkak të mungesës së rezultateve që nuk arritën pavarësisht përpjekjeve të bëra çdo fundjavë. Të dielën e kaluar, në Misano, Honda ngrihet sërish si marka kampione që ka qenë gjithmonë. Marc Márquez fiton në një cirkuit, në të cilin ai nuk grumbullon rezultate të shkëlqyera dhe nuk është një nga të preferuarit e tij. Kjo është arsyeja pse është shumë më e rëndësishme.

Sidomos kur spanjolli ende nuk garon ashtu siç do të dëshironte, shpatulla e tij e djathtë vazhdon ta mundojë. Një goditje autoriteti. "Për Mark kjo është një periudhë edhe më e vështirë se për të tjerët. Ai është ende duke u rikuperuar, ka ende probleme, nuk është  ende i njëjti, ai e di dhe ne e dimë. Prandaj kjo fitore në Misano, sidomos në këtë pistë ka edhe më shumë vlerë për të.

Askush nuk e di se çfarë po bën Marc përveç tij”, vlerëson Alberto Puig, menaxher i ekipit të Repsol Honda, pas fitores në Misano. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Pol Espargarón, i cili u ngjit në vendin e dytë të podiumit. Sigurisht, me meritat e veta. Pa dyshim, Misano është një pikë kthese për besimin e tij në lidhje me Hondën.

 "Pol Espargaró ka duruar një sezon shumë të vështirë në të cilin kishte pritshmëri të mëdha. Ne e dimë se nuk ka qenë e lehtë, por pika pozitive është se ai kurrë nuk dorëzohet. Ai gjithmonë përpiqet të gjejë një zgjidhje” – shton Puig.  Pas kësaj fitoreje  në Misano, Honda dëshiron ta mbyllë mirë sezonin.

"Ky është një ekip fitues dhe qëllimi ynë është të përpiqemi gjithmonë të fitojmë dhe të luftojmë për titullin çdo vit. I vetmi ndryshim është se ndonjëherë situata nuk është perfekte. Dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për ne, por nuk do të gjeni askënd brenda këtij ekipi që dëshiron ta mbyllë garën e radhës në vend të dytë.

Ne do të shkojmë në garën tjetër duke u përpjekur të fitojmë përsëri sepse kjo është Honda" – tha Puig.