RTSH Sport Live

Moto GP, Rins: Ducati, pesë hapa para nesh

  • 27/09/2021
  • |
  • Moto GP
Moto GP, Rins: Ducati, pesë hapa para nesh
Piloti i “Suzuki”-t pranon kapitullimin përballë skuadrës italiane

Aleks Rins beson se motorët e “Dukati” në këtë sezon të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, janë “5 hapa para “Suzuki”, duke iu referuar edhe fitores së dyfishtë me Françesko Banjajën. Ky i fundit korri fitoren e tij të parë në Moto GP para dy javësh në pistën e Aragonës, duke mposhtur legjendarin e “Honda”-s, Mark Markez, në një duel drithërues, dhe i shtoi këtij triumfi menjëherë një tjetër, pasi mposhti në një tjetër duel po aq drithërues kryesuesin e renditjes së përgjithshme të pilotëve, Fabio Kuartararo, javën e shkuar në Mizano.

Kjo ishte fitorja e 5-të e “Dukati”-t në 2021-shin, pas triumfleve radhazi për Xhek Millerin në Herez dhe Lë Mons, dhe një fitoreje të bujshme të parë për të riun e skuadrës kliente të “Pramak”-ut, Horhe Martin, në Austri. Përveç 5 fitoreve, “Dukati” ka shijuar edhe suksese të tjera me të gjitha skuadrat, teksa 5 nga 6 pilotët e saj janë ngjitur në podium, më i fundit ishte Enea Bastianini, që me motorin e tij të skuadrës kliente “Avintia”, mori vendin e 3-të në Mizano.

Vetëm “Jamaha” e ka kaluar numrin e fitoreve të “Dukati”’-t këtë sezon, me 6 fitore, ndonëse 5 prej këtyre i ka fituar Fabio Kuartararo, ndërsa tjetrën e korri tashmë ish-piloti i saj, Maverik Vinjales. Ndërkaq, “Suzuki” ende nuk ka njeh fitoren në këtë sezon të vështirë, pasi motorët e tij nuk janë përmirësuar edhe aq në krahasim me sezonin e shkuar.

Dhe pikërisht këtu është edhe pjesa ku bëhet më tepër dallimi dhe Aleks Rins beson se “Dukati” ka bërë hapa gjigantë në këtë drejtim. Edhe shoku i tij i skuadrës, Joan Mir, e pranoi, pasi e mbylli i 6-ti në garën e Mizanos, se shanset e tij për të mbrojtjur titullin e “kampionit të botës” tashmë ishin davaritur plotësisht.