Botërori i Motorëve do të ketë një garë edhe në Kazakistan. Duke filluar nga viti 2023 të tre kategoritë e motorëve, MotoGP, Moto2 dhe Moto3, do të konkurrojnë në një vend të ri, kjo në zemër të Azisë qendrore. Gara do të zhvillohet në impiantin e ri, “Sokol International Racetrack”, pak km larg Almatit, qytetit më të madh të Kazakistanit. Organizatorët e kësaj gare dhe Moto Gp kanë nënshkruar një marrëveshje 5-vjeçare për të pritur në cirkuitin Sokol, garat e botërorit të Moto Gp.
“Kjo zonë do të jetë një nga qendrat që do të presin shumë tifozë për garat e Moto Gp”, thanë organizatorët. Kazakistani bëhet kështu vendi i 30-të që do të presë një Çmim të Madh për garat me motorë duke filluar nga viti 1949, ndërsa “Sokol International Racetrack” do të jetë cirkuiti i 74-tërt, që do të presë një garë të klasit të parë të motorëve. Për momentin, duke u bazuar në kalendarin provizor të botërorit të ardhshëm të MotoGP, që starton në 26 mars në Portugali e mbyllet në Valencia në 19 nëntor, gara e Kazakistanit mund të vendoset për t’u zhvilluar në 9 korrik.