RTSH Sport Live

MotoGP, Lorenzo: Askush nuk e priste Quartararon kampion në Misano

  • 27/10/2021
  • |
  • Moto GP
MotoGP, Lorenzo: Askush nuk e priste Quartararon kampion në Misano
Ish-piloti dhe kampioni i botës foli pas triumfit të Quartararo në Botërorin 2021

“Gjëja më e vështirë ishte të përballoje presionin, sepse ka fundjavë kur motorri nuk shkon mirë ose vuan më shumë, dhe kjo ndodh mbi të gjitha me Yamaha-n. Por Fabio i ka përfunduar të gjitha garat dhe nuk është rrëzuar kurrë, dhe kjo është shumë e vështirë kur je nën presion. Së bashku me Bagnaia ishte më i shpejti në të gjithë kampionatin, por Fabio ishte më i qëndrueshëm dhe bëri më pak gabime. Ai është kampioni i duhur".

Këto janë fjalët e Jorge Lorenzos, në një intervistë për “As”, pas fitores së Fabio Quartararos në Botërorin e MotoGP 2021. Para francezit, piloti spanjoll ishte fituesi i fundit i një titulli të klasit premier me Yamaha në 2015. Pas pensionimit, Lorenzo ishte gjithashtu një pilot testimi i Yamaha.

"Quartararo ishte shumë i afrueshëm me mua, e vlerësova - shtoi Lorenzo -. Jam i lumtur edhe për Yamaha-n, pasi ata nuk kanë fituar për gjashtë vjet. Si tifoz shpresoja që titulli të vendosej më vonë, të kishim më shumë patos. U befasova nga rënia e 'Pecco' Bagnaia. Askush nuk e priste të shihte kampion Quartararo pas vështirësive të së shtunës".