RTSH Sport Live

Motorsporti pjesë e Olimpiadës

  • 17/08/2022
  • |
  • Të tjera
Motorsporti pjesë e Olimpiadës
FIA dhe IOC nënshkruajnë për pjesëmarrjen në “Los Anxhelos 2028”

Motorsporti është një nga dhjetë sportet kandidatë të mundshëm që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) duhet të përfshijë në Lojërat Olimpike të “Los Anxhelosit” në 2028. FIA, e cila u bë pjesë e IOC në 2012, është ftuar nga organi më i lartë rregullator i sportit për të propozuar një garë të motorsportit pjesëmarrës në Olimpiadën e 2028.

FIA do të garojë me nëntë federata të tjera sportesh për një vend në lojërat olimpike të Los Anxhelosit. Disiplinat e tjera janë karateja, break dancing, softball, bejsbolli, kriket, Squash, Leikros, kick boksi dhe futbolli në rërë. Vendimi përfundimtar se cili sport do të pranohet në olimpiadë do të merret në Kongresin e IOC, që do të zhvillohet në Bombay në mesin e vitit të ardhshëm.

Nuk dihet ende se cila do të jetë disiplina e garës motorike e propozuar nga FIA. I vetmi precedent daton në Lojërat Olimpike të Parisit të vitit 1900, e dyta e epokës moderne. Kishte gara si me makina, ashtu edhe motoçikleta. FIA tashmë organizon Lojërat Motorsport, një ngjarje e ngjashme me Lojërat Olimpike, në të cilën zhvillohen gara të ndryshme motorike, si Formula 4, Makinat Touring ose karting. Edicioni i radhës, këtë vit është më 29 dhe 30 tetor në Marsejë.