Nga humbja 1-2 me Izraelin, tek ndeshja me Islandën të martën në mbrëmje. Kuqezinjtë kanë përfunduar në vorbullën e kritikave për vetë rezultatet e arritura. Nuk mungon vlerësimi për grupin e lojtarëve, për cilësinë që ka, por rezultatet kanë munguar së fundmi. Disa analiza nga emra të njohur, më e fundit mbërrin nga Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.
“Bëmë një lojë nën nivelin tonë, edhe gabime bëmë. Por edhe Izraeli bëri gabime, futbolli lojë gabimesh është, por ne nuk i shfrytëzuam ato. Me ata lojtarë që kemi, nuk bëmë një lojë në nivelin e duhur”.
“Pjesa më e madhe e lojës ishte në inferioritet nga ana jonë, kundërshtari na dominoi. Edhe skuadra nuk është e lidhur, kishte shumë hapësira, kishte vështirësi. Në aspektin sulmues ishim të pakordinuar. Broja dhe Cikalleshi nuk i fituan dyluftimet, skuadra ishte e hapur dhe nga krahët kundërshtari na sulmoi shumë”.
“Në mesfushë kemi problem shumë të mëdhaja, Reja nuk ka arritur të ndërtojë një mesfushë të llojit që kemi patur më parë. Luftojnë shumë, por nuk ka mendim. I vetmi është Asllani, por sapo ka filluar. Kombëtares i mungon fantazia, kur shkojmë në 30 metrat e fundit, nuk kemi manovër. Nuk kemi një lojtar që shërben, nuk e kemi që nga koha e Skelës. Unë shikoj një skuadër që nuk më argëton dhe këtë unë ia kërkoj trajnerit, jo lojtarëve".
“Në këto vite kam parë shumë skuadra që e kanë rritur nivelin, ndërsa ne kemi rënë. Me këtë skuadër, me këtë grup lojtarësh nuk kemi arritur aty ku duhet. Mendoj se duhet një lojë tjetër. Loja që kemi nuk më pëlqen, krijon inferioritet. Duhet ekuilibër, një skuadër që luan mirë në dy aspektet e lojës. Për Rejën mund të them se është mbyllë cikli, ndërsa për lojtarët është hapur një cikël i ri”.
“Nuk po luajmë fare nga krahët, nuk ka skuadër në Europë që nuk luajnë me 4 apo 5 sulmuesa, ne luajmë me 2. Broja? Është 1/11 e skuadrës, ai nuk mund të shkojë në mbrojtje të marrë topin dhe të sulmojë. Nuk shikoj kurrë një manovër nga mbrojtja në sulm, të bëjë 10 pasime. Maksimumi 3 mund të bëjmë”.
“Ndeshja e fundit? Pres që ekipi të fitojë, të krijojmë një tjetër atmosferë, por duhet të pranojmë që është pa vlerë. Ky cikël ka mbaruar. Duhet filluar një cikël tjetër, është momenti i duhur. Nëse do vazhdojmë përsëri me Rejën, të vazhdojmë deri në fund. Por unë them se duhet bërë një analizë e ftohtë, pas hedhjes së shortit, për objektivin që kemi, për grupin që kemi, por dhe për rinovimin e skuadrës”.