Spektakël me nëntë gola në “Loro Boriçi”, ku Vllaznia ka arritur të fitojë 6-3 përballë Dinamos, një sfidë që ka mbyllur dhe javën e pestë të Abissnet Superiore. Në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH edhe kësaj radhe nuk ka munguar analiza e Shkëlqim Muçës me gjithçka që ka ndodhur në këtë javë.
9 gola në “Loro Boriçi” – “Kur ka shumë gola, ka edhe emocione. Dinamo nuk është akoma një skuadër kompakte. Në aspektin mbrojtës nuk ka agresivitet, kur humbasin topin nuk vijnë të gjithë lojtarët në pozicionet e tyre. Duhet akoma shumë punë. Kjo ndeshje nuk ishte e organizuar mirë nga Dinamo, duhet ta kishte studiuar më mirë kundërshtarin, duhet të luante më e mbyllur. Katër mbrojtësat luanin sikur nuk ishin të një skuadre. Mendoj se është problem organizimi, jo se nuk ka lojtarë”.
Karakteri i Tiranës - “Tirana është një ekip me karakter, por kaloi një moment të vështirë, lojtarët ishin stërvitur pak për shkak të gjendjes së krijuar. Kishte disa oshilacione, por është një skuadër që beson deri në fund. Mori një fitore shumë të rëndësishëm, për moralin, për të gjitha. Teuta mendoj se zhvilloi një ndeshje të dobët, mund të pësonte më shumë gola. Ka shumë mangësi në aspektin karakterial. Duhet të ndryshojë mentalitet. Një ndeshje futbolli humbet kollaj kur humbet përqëndrimin”.
Partizani dhe Kukësi – “Një ndeshje me oshilacione për të dyja skuadrat. Kukësi i këtij sezoni është ndryshe, më shumë kompakte, që ka dëshirën të luajë në sulm. Një skuadër që ka mentalitet sulmues. Në të dyja fazat e lojës është shumë e organizuar. Partizani është një skuadër e vështirë ti shënosh, por nuk po prodhon shumë. Në aspektin sulmues nuk është si Kukësi. Nuk më pëlqen mënyra e ndryshimit të skemës: ka hequr një sulmues dhe ka aktivizuar një mbrojtës. Gjithsesi, ishte një ndeshje që më dha kënaqësi, më shumë Kukësi”.
Suksesi i Egnatias - “Fitore e papritur. Një ndeshje e luajtur mirë nga të dyja skuadrat, por Laçi shpërdoroi shumë në pjesën e parë, kur nuk shënon e pëson. Egnatia është një skuadër me këmbë në tokë, kërkon të marrë maksimumin. Laçi, pavarësisht situatës, mund të kompensojë shumë, ka lojtarë. Gjithsesi, të dalësh nga kjo situatë nuk është dhe aq e lehtë”.
Forca e Kastriotit - “Kastrioti është një skuadër që do mundohet se do të marrë maksimumin në ndeshjet brenda, sepse e di se do të luftojë për mbijetesë. Ka një trajner që e njeh mirë kampionatin. Mendoj se çdo skuadër do e ketë të vështirë përballë kësaj skuadre”.