RTSH Sport Live

Muça: Erzeni jo më surprizë, Tirana e forte, Partizani të rregullojë sulmin

  • 19/09/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Muça: Erzeni jo më surprizë, Tirana e forte, Partizani të rregullojë sulmin
Shkëlqim Muça në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH

Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, ka analizuar javën e pestë të “Abissnet Superiore”.

Fitorja e “gjakosur” e Partizanit - “Mezi presim ndeshje ku ka shumë tifozë, por edhe kur ka, ata nuk sillen denjësisht. Janë veprime të papranueshme. Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Për ndeshjen, u luftua në të gjithë sektorët e fushës. Partizani më pëlqeu në aspektin e karakterit, në aspektin e grintës. Në aspektin sulmues ka për të rregulluar, ndërsa si skuadër është e vështirë ta gjesh në vështirësi. Deri në momentin e golit, të kuqtë nuk kishin shkuar rrjedhshëm në sulm, më pas Kukësi u hap. Po rregulluan dhe veprimet sulmuese, Partizani më pas bëhet skuadër e frikshme. Kukësi ka problem shumë të mëdha, nuk është akoma skuadër. Po shikoj që vendosja e lojtarëve nuk është natyrale, për atë që ata kanë si karakteristika”.

Suksesi i Erzenit – “Skuadrat e cilësuara si të vogla, shikoj që janë shumë të organizuara. Aty duket qartë se ka dorë trajneri, aty është punuar. Përveç punës, është dhe harmonia, trajneri por dhe ata që i qëndrojnë afër skuadrës. Erzeni nuk është më surprizë. Laçi ka shumë problem, sidomos në mesfushë, nuk është më agresive. Kjo ka qenë karakteristika e tyre. Ka lojtarë të lehtë, humbasin dyluftimet. Duhet vënë dorë, duhet ndryshuar”.

Barazimi i Bylisit me Egnatian – “Përballje direkte, mes dy skuadrave që sigurisht në ndeshje të tilla duan të rrëmbejnë pikë, pasi e dinë rëndësinë. Më e favorizuar është Egnatia në këtë rast. Nuk e kuptoj ecurinë e Bylisit në shtëpi, prisja më shumë. Më mirë luan jashtë se sa në shtëpi”.

Tirana, e fortë - “Teuta pas pësimit të golit u shpërfytyrua, Tirana e kapte në befasi. Durrsakët kanë problem, sidomos në qendër të mbrojtjes. Tiranën e shikoj një skuadër shumë e fortë, pavarësisht se nuk ka marrë atë ritmin e duhur. Edhe lojtarët që kanë ardhur e kanë fuqizuar shumë, kanë eksperiencë, pak nga pak po ingranohen”.

Fitorja e Vllaznisë – “Goli i shpejtë i Vllaznisë që të administrojë lojën dhe jo të luante futboll. Kastrioti bëri më shumë, por është i varfër në sulm. Vllaznia mendoj se bëri një ndeshje jo të mirë. Bëri shumë për të administruar rezultatin, por jo për të mbyllur ndeshjen”.