RTSH Sport Live

Mundja dhe KOKSH, mirënjohje për Abakarov

  • 24/09/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Mundja dhe KOKSH, mirënjohje për Abakarov
Kampioni i Botës në stilin e lirë nderohet në një ceremoni të veçantë

Federata Shqiptare e Mundjes dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar kanë nderuar me Mirënjohje, kampionin e Botës në stilin e lirë, pesha 57 kilogram, Zelimkan Abakarov. E jo vetëm atë, por dhe Islam Dudaev, si dhe trajnerin Arsen Abakarov, i cili parashikohet që shumë shpejt të marrë dhe drejtimin e ekipit kombëtar. Abakarov ka treguar dhe një herë emocionet e garës në Beograd duke qenë në majën e botës pas pesë fitoresh.

“Për mua, por dhe për të gjithë shqiptarët ky është vetëm një start për të synuar arritje të tjera në kampionatet që do të zhvillohen në vazhdim, për të sjellë medalje të arta”.

Por cili ishte kundërshtari më i vështirë për Abakarov?

“Nuk mund të nënvlerësoj asnjë, por atë që unë doja të veçoja ishte ndeshja me mundësin serb në gjysmëfinale, i cili gjithashtu pretendonte të arrinte medaljen e artë”.

A e kishit menduar që duke ardhur nga Çeçenia tashmë me ngjyrat e një shteti tjetër do të mund të ishit në majën e botës?

“Qëllimi ynë kryesor kur jam transferuar në Shqipëri dhe jam federuar dhe kam marrë nënshtetësinë shqiptare ishte pikërisht që të merja medaljen e artë. Kudo që të shkoja unë do të synoja pot ë njëjtën gjë”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka vlerësuar mundësit shqiptarë, pavarësisht kësaj medalje të Abakarovit, ndërsa është i bindur se sporti i tapetit nuk ka nevojë për natyralizime të tjera.

“Ne sot duhet të ndihemi krenarë. Unë përulem para të gjithë atyre personave që e bëjnë krenar këtë flamur, që e nderojnë këtë flamur”

E pas kësaj medalje botërore, tashmë presin të gjithë medaljen olimpike në “Paris 2024” nga Abakarov. Por vetë mundësi kërkon ta marrë gjithçka hap pas hapi.

“Tashmë kam nisur dhe përgatitjet për kampionatin e radhës, i cili është i rangut botëror. Por kuptohet që pasi të kem bërë mbrojtjen e këtij titulli në kampionatin e radhës, objektivi tjetër do të jenë Lojërat Olimpike dhe sigurisht medaljet”.

Nuk kanë munguar dhe vlerësimet për trajnerin e Tiranës, Leonard Çakmashi, ndërsa tanimë pritet që një pritje më madhështore për Zelimkan Abakarov të bëjë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.