RTSH Sport Live

Mundja shqiptare, gati për turneun “Muhamet Malo”

  • 09/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Mundja shqiptare, gati për turneun “Muhamet Malo”
Presidenti i Federatës, Sahit Prizreni, rrëfen përgatitjet dhe pritshmëritë për medalje

Turneu i mundjes “Muhamet Malo”, i cili këtë fundjavë do të zhvillohet në Tiranë, tanimë ka hyrë në edicionin e tij të tretë. Dhe është një aktivitet tashmë i certifikuar nga Federata Botërore e Mundjes, e cila e ka në kalendarin e vet. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, për Radio Televizionin Shqiptar rrëfen përgatitjet për aktivitetin në fjalë.

"Është viti i tretë radhazi që po zhvillohet në Shqipëri. Është një turne Memorial, kjo sipas kalendarit të Federatës Botërore të Mundjes dhe ndryshe nga dy herët e fundit numri i shteteve pjesëmarrëse do të jetë shumë më i madh. Kemi 12 shtete pjesëmarrëse. Kemi rreth 170 sportistë pjesëmarrës dhe sigurisht që për ne është një stimul më shumë. Sepse jo vetëm sporti i mundjes, por sporti në përgjithësi në Tiranë e në Shqipëri të ketë mundësi të zhvillojë aktivitete të tilla", thotë Sahit Prizreni.

A është salla sportive “Farie Hoti” e gatshme për të pritur një numër rekord mundësish thuajse nga e gjithë Europa?

"Mendoj që salla i ka parametrat e duhura për të zhvilluar këtë turne. Kështu që mendoj se ne do t'ia dalim", shpjegon Prizreni.

Vitin e kaluar Shqipëria mori një numër prej 13 medaljesh, madje duke qenë dhe fituese në stilin e lirë. Cilat janë pritshmëritë për këtë vit nga mundja kuqezi?

"Do të jetë e vështirë. Por besoj se djemtë tanë do të tregojnë më të mirën siç dhe kanë bërë gjithmonë", pohon i pari i mundjes shqiptare.

Zelimkan Abakarov një emër i sigurtë për medalje. Por Prizreni mendon se ka dhe kandidat të tjerë për t’u ngjitur në podium

"Kundërshtarët nuk janë si herët e tjera, por që jam i bindur se këta të dy, pra Zelimkan Abakarov dhe Islam Dudaev, duke dhe Paris Karepin, apo dhe sportistë të tjerë do të dinë të tregojnë veten si në stilin greko-romak, ashtu dhe në atë të lirë. T'i japim mundësinë këtyre djemve të garojnë në ndeshje të forta duke qenë në shtëpinë e tyre", tregon me bindje Sahit Prizreni.

Ajo që i mungon turneut është mundja për femra. Dhe ka një arsye që shpjegohet nga i pari i mundjes shqiptare

"Mendoj dhe shpresoj se vitin tjetër ky turne të jetë me këto përmasa, çka do të jetë fantastike, sepse kështu do të jetë edhe mundja e femrave", rrëfen Prizreni.

E në fund dhe një falënderim për të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë turne.

"Në nderin e tij dhe në nderin e suportit dhe ndihmës që familja Malo ka dhënë për mundjen në veçanti e sportin në përgjithësi atëherë meriton një falënderim të madh dhe sigurisht Bashkia e Tiranës. Sepse duke qenë se Tirana këtë vit është Kryeqyteti Europian i Sportit, atëherë kemi patur mbështetjen e duhur për ta zhvilluar këtë aktivitet. Kështu që një falënderim vlen dhe për Kryetarin e Bashkisë", përfundon Sahit Prizreni.