RTSH Sport Live

Mundja shqiptare, larg pritshmërive në Sofje

  • 07/05/2021
  • |
  • Të tjera
Mundja shqiptare, larg pritshmërive në Sofje
Ndregjoni dhe Karepi nuk e kapin dot normën e kualifikimit për në “Tokio 2020”

Mundja shqiptare, e cila ka qenë pjesëmarrëse në turneun kualifikues për në Lojërat Olimpike, “Tokio 2020”, që është zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, duket se nuk i ka arritur pritshmëritë. Me dy mundës si Vilson Ndregjoni dhe Paris Karepi, të cilët janë drejtuar nga Leonard Çakmashi, sporti i tapetit në vend në tre ndeshje ka arritur vetëm një fitore dhe më pas dy humbje.

Kështu Ndregjoni është mundur 7-1 nga kolumbiani Kuero Munoz. Karepi e ka nisur mirë, ndërsa ka mundur fillimisht austriakun Ludesher 4-1. Por më pas është mundur 0-3 nga venezueliani Hoze Daniel Diaz Robert.

Ky ishte shansi i fundit për të marrë një normë kualifikimit për në Lojërat Olimpike, të paktën edhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni. Megjithatë, të paktën Karepi ka bërë një paraqitje dinjitoze, ndërsa mundja shqiptare ka mundësi për më shumë në aktivitetet ndërkombëtare në vazhdim.

Tanimë priten të tjera veprimtari për sportin e tapetit, jo vetëm ndërkombëtare, por dhe kombëtare.