RTSH Sport Live

Mundje: Orges Lila, në Kupën e Botës në Beograd

  • 03/12/2020
  • |
  • Evente Sportive
Mundje: Orges Lila, në Kupën e Botës në Beograd
Mundja rikthehet në veprimtaritë ndërkombëtare, Shqipëria vetëm me një sportiest

Orges Lila, mundësi i Tiranës në stilin e lirë në peshën 74 kilogram, do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në Kupën e Botës në Beograd. Një Kupë Bote, e cila zëvendëson Kampionatin Botëror të mundjes për vitin 2020, që do të zhvillohej në Beograd. Por që është një rikthim i mundjes në arenën ndërkombëtare, ndërsa një pjesë e mirë e aktiviteteve u pezulluan për shkak të Covid-19. Veprimtaria jo vetëm që është vlerësuar nga Unioni Botëror i Mundjes, apo presidenti Nenad Laloviç, i cili e sheh si rilindje të këtij sporti pas një ndalese të pazakontë, por dhe nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Shqipëria dërgon Orges Lilën, i cili në Turneun e 44-tër Ndërkombëtar të Maqedonisë fitoi jo vetëm medaljen e artë, por dhe u shpall sportisti më i mirë. Në të tilla kushte, më 12-18 dhjetor në Beograd, shpresohet që Lila të bëjë një tjetër përfaqësim dinjitoz të mundjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.