Emiljano Musta ishte protagonist në suksesin e Laçit përballë Kukësit me atë gol që i hapi rrugë fitores. Në një lidhje direkte me Rubrikën Sportive në RTSH, Musta është shprehur: “Jam i lumtur për golin por dhe për fitoren e skuadrës, një kënaqësi e dyfishtë”.
“Me Kukësin ishte një ndeshje mjaft e vështirë, sepse ishte me një rival direkt. Por ne e nisëm mjaft mirë ndeshjen, arritëm të gjenim golin shumë shpejt dhe kjo na dha më shumë qetësi në lojën tonë. Na dha mundësinë të dilnim përpara në mënyrën e duhur ashtu siç ne e kishim përgatitur ndeshjen, të godisnim kundërshtarin, pasi e kishim studiuar gjatë gjithë javës. Arritëm të shënonim tre gola, por mund ta thellonim akoma më tepër, nëse do të ishim më të saktë para portës”.
"Në fushë ishim disa ish, por nuk mendoj se shërbeu si një karikim ekstra. Ekipi i Laçit nuk ka nevojë për karikim, cilido qoftë kundërshtari. Për ne ishte ndeshja e radhës, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme që duhet ta fitonim dhe arritëm të mernim tri pikë mjaft të rëndësishme".
"Tregimi i fanellës në momentin e shënimit të golit? Nuk kishte diçka specifike. Ishte një mesazh për dikë që e pa ndeshjen nga TV, psepse unë te Kukësi kam lënë shumë miq. Kemi kaluar atje një vit të shkëlqyer”.
Sa i përket distancës me Vllazninë, Musta ka një këndvështrim tjetër. "9 pikë nuk janë pak, por dua tju sjell në vëmendje distancën e sezonit të kaluar mes Tiranës dhe Kukësit në këtë javë të kampionatit. Ishim 10 pikë përpara me Kukësin, por kur mbaroi kampionati Tirana ishte 12 pikë mbi ne", -deklaron Emiljano Musta në Rubrikën Sportive në RTSH.