RTSH Sport Live

Myrto Uzuni: Kam pushuar vetëm katër ditë, më pëlqen Spanja

  • 13/01/2021
  • |
  • Kombëtarja
Myrto Uzuni: Kam pushuar vetëm katër ditë, më pëlqen Spanja
“Kishim vetëm dy javë për t'u çlodhur, por unë nuk kisha nevojë të relaksohesha në aspektin fizik, por më tepër mendërisht”

Myrto Uzuni, futbollisti kuqezi i Ferencváros, në një intervistë të gjatë për National Sports ka shpalosur të gjithë potencialin e tij, duke zbuluar preferencat si dhe ambiciet në këtë sezon të parë në kampionatin hungarez.

A është e vërtetë që keni pushuar vetëm katër ditë gjatë pushimeve tuaja dy-javore?

“Nuk munda të duroja më. Pas mbarimit të turneut, unë udhëtova për në Shqipëri tek prindërit dhe vëllain im, duke kaluar dhjetë ditë në shtëpi. Ishte shumë mirë të ishim përsëri bashkë, por ditën e katërt e gjeta veten duke vrapuar”.

Ushtrime me top?

“Jo, sepse topi nuk është më në shtëpinë e prindërve, por unë mora këpucët e vrapimit me vete. Ngrihesha në mëngjes dhe vrapoja çdo ditë. Pushimet e dimrit nuk ishin shumë të gjata, kishim vetëm dy javë për t'u çlodhur, por unë nuk kisha nevojë të relaksohesha në aspektin fizik, por më tepër mendërisht. Karikimi ishte perfekte, pasi takova familjen time, disa nga shokët e mi, më pas u ktheva në Budapest për të nisur përgatitjet”.

Pas një pushimi në vjeshtë(për shkak të Covid), u rikthyet përsëri në fushë, duke shijuar çdo prekje të topit. Nuk mund të duronit aq shumë pa top?

“Nëse nuk mund të luaj futboll, nuk ndihem mirë nën lëkurën time. Pastaj, isha plotësisht i uritur që loja të vihej përsëri në lëvizje. Shokët e mi të skuadrës tashmë e dinë se mentaliteti im është të mos dorëzohem kurrë! Unë gjithmonë i kapërcej vështirësitë dhe ngrihem më i fortë. I tillë është karakteri im”.

Këto ditë po stërviteni në Spanjë. A keni qenë ndonjëherë më parë në Marbella?

“Kurrë më parë. Disa njerëz më kanë folur, kanë qenë këtu shumë here. Tani mund të provoj sa mirë është të përgatitem këtu”.

A keni një vend të preferuar?

“Spanja. Mentaliteti i njerëzve këtu është afër me mentalitetin tim. Spanja gjithnjë më ka tërhequr, dhe gjithashtu më pëlqen futbolli spanjoll. Unë e ndjek kampionatin e tyre, ka ndeshje të shkëlqyera. Tani që jam këtu, mund ta shoh përsëri se sa i madh është ky vend. Ne jemi në vendin e përsosur për t'u përgatitur, hoteli plotëson të gjitha nevojat, ushqimi është i shijshëm, Është vend i mirë për tu karikuar me energji”.

Luajtët ndeshjen e parë në këtë fazë përgatitore. Si u ndjeve në fushë?

“Ishte mirë të luanim përsëri në një ndeshje. Unë kisha mundësinë në pjesën e dytë. Në fillim është e vështirë të futesh në lojë. Padyshim që do të jemi në formë shumë më të mirë se kaq, por si fillim nuk ishte keq”.

Me cilin nga shokët e ndani dhomën e hotelit?

“Si masë paraprake, të gjithë janë vetëm këtë herë. Ka të mirat dhe të këqijat e veta, nuk kam me kë të flas, por ky nuk është një shqetësim. Shëndeti është thelbësor dhe kjo është arsyeja pse të gjithë në klub bëjnë më të mirën e tyre”.

Pas dhjetë ditësh, sfida në kampionat. Nuk mendoni se koha është shumë e shkurtër për tu përgatitur?

“Kjo është një kohë e tillë. Secila skuadër ka afërsisht të njëjtën sasi kohe për tu gjendur në situatën më të mirë të mundshme. Do të jetë e rëndësishme të fillojmë mire, qëllimi ynë kryesor është të  jemi kampionë. Nuk mund të them asgjë tjetër, po kaloj sezonin tim të parë në Hungari, dua të jem kampion dhe fitues i Kupës. Nuk më intereson asgjë tjetër”.