RTSH Sport Live

Myrto Uzuni, vjen goli i 20-të në Spanjë

  • 18/03/2023
  • |
  • Kombëtarja
Myrto Uzuni, vjen goli i 20-të në Spanjë
Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë dhe asistoi të dytin në fitoren 2-1 që Granada arriti në fushën e Albacetes

Myrto Uzuni nuk ndalet, vjen goli i 20-të në LaLiga Smartbank(Kategoria e Dytë). Sulmuesi kuqezi shënoi golin e parë si dhe asistoi në shënimin e golit të dytë në atë fitore 2-1 që skuadra e tij, Granada arriti në fushën e Albacete në javën e 32-të të kampionatit. Sulmuesi kuqezi, i etiketuar nga mediat spanjolle si një djall, mbolli panik në “Carlos Belmonte”, në praninë e gati 15 mijë spektatorëve. Pas disa mundësive të krijuara, Uzuni arriti të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 30-të me asistimin e Ricard Sanchez.

Në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 54-ët, sulmuesi kuqezi i kthen borxhin Ricard Sanchez, i cili firmos 2-0. Goli i vetëm për Albacete u shënua nga Higinio në minutën e 64-ët. Uzuni luajti deri në minutën e 79-të për tu zëvendësuar nga Petrovic, ndërsa Granada arriti të administrojë rezultatin deri në fund duke marrë tri pikë që e ngjisin në kuotën e 58 pikëve.