Lamtumira e De Ligt me Juventusin la disa gjurmë në Serinë A. Pas fjalëve të Bonuccit ndaj holandezit, ka mbërritur “goditja” e Nagelsmann kundër futbollit italian. Duke marrë shkas nga kushtet e formës së ish-mbrojtësit të Ajax, trajneri i Bayernit ka ndezur disa dyshime për intensitetin e stërvitjeve të skuadrave në ligën italiane.
“Kam biseduar me De Ligt pas stërvitjes dhe ai më tha se ishte stërvitja më e vështirë në katër vitet e fundit”, tha trajneri i klubit gjerman. “Në realitet ishte një stërvitje normale, jo aq e vështirë sipas mjekut. Kam dëgjuar se në Itali është e vështirë të mbash formën - shtoi ai -. Me De Ligt sigurisht që do të duhet të punojmë shumë".
Deklarata që drejtojnë gishtin në nivelin e Serisë A, përgatitjen e sportistëve dhe profesionalizmin e stafit të Allegrit dhe që sigurisht do të ushqejnë kritika të reja në aksin Juve-Bayern. Lamtumira e De Ligt vazhdon të bëjë zhurmë.