RTSH Sport Live

NBA, Lakers kampion për sezonin 2019-2020

  • 12/10/2020
  • |
  • Sporte të tjera
NBA, Lakers kampion për sezonin 2019-2020

Skuadra e Lakers është shpallur kampione e NBA-së për sezonin 2019-2020. Ekipi kalifornian fitoi sot 106-93 ndeshjen e gjashtë finale play off ndaj Miami, duke fituar 4-2 serinë e takimeve.

Për Lakers ky është titulli nr.17 në historinë e tij. LeBron James, që sot realizoi 28 pikë, 14 rebound e 10 asist, jo vetëm ishte lojtari më i mirë, por u shpall edhe MVP i finaleve.

Një titull që skuadra ia dedikoi Kobe Bryant, i ndarë nga jeta në janar të këtij viti.

Ndeshja e sotme u dominua nga skuadra e Lakers, që u shkëput deri në 30 pikë, duke mos i dhënë asnjë shans Miami të rivalizojë. Skuadra e Miami ishte e pafuqishme sot, duke mos dhënë atë që pritej.

Butler, që dy ditë më parë ishte lider në fushë për Miami, sot realizoi vetëm 12 pikë, ndërkohë që Adebayo ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë e 10 rebound, por të pamjaftueshme.

Te Lakers, përveç LeBron, u dallua edhe Anthony Davis, me 19 pikë e 15 rebound, një dyshe që bëri diferencën këtë sezon.