RTSH Sport Live

NBA, sa kushton (në dollarë) grumbullimi në “All-Star Game”

  • 02/02/2023
  • |
  • Basketboll
NBA, sa kushton (në dollarë) grumbullimi në “All-Star Game”

Status, prestigj por edhe… para. Shumë para! Sonte në orën 1:00 të mëngjesit do të publikohen emrat e 14 rrezervave të “All-Star Game” që do të mbahet këtë vit në Sollt Lejk Siti. Më të talentuarit mezi presin këtë moment pasi mund të përfitojnë edhe më shumë para nga kontratat që kanë me klubet respketive, të cilët kanë futur bonuse prezence në lidhje me këtë super ndeshje. Më poshtë do të njiheni me shtatë lojtarët, të cilët në rast grumbullimi do të përfitojnë më shumë para.

Jo vetëm shfaqje – Thuhet shpesh se takimi mes më të mirëve të sezonit në NBA është një mundësi për lojtarët, të cilët do të luajnë pa stresin e humbjes. Në të vërtetë ka diçka më shumë pasi fitojnë diçka më shumë. Faktit që nëse grumbullohesh kthehesh automatikisht në njërin mes 24 më të mirëve të ligës për sezonin i shtohen edhe benefitet financiare. Klubet e ndryshme, për të motivuar edhe më shumë lojtarët, i kanë futur klauzola në kontrata ku thuhet se përfitojnë premio në rast se do të jenë pjesë e “All-Star Game”. 30 trajnerët e skuadrave të NBA kishin kohë deri të dielën në mbrëmje për të përcaktuar se cilët lojtarë do të jenë rrezervë në “All-Star Game” (7 janë të Perëndimit dhe 7 të Lindjes) që do të luhet më 19 shkurt.

Collin Sexton, Utah Jazz – Lojtari në fjalë ka në kontratë me klubin bonusin për pjesëmarrje në “All-Star Game” por nuk mund ta arkëtojë pasi një dëmtim i ndërlikoi sezonin. Në fillim ishte titullar, por tani nuk është më kështu dhe ftesa është një mirazh.

Buddy Hield, Indiana Pacers – Edhe ky lojtar ka në kontratë bonus pjesëmarrje, por përfundimisht nuk ka shpresë ta arkëtojë. Hield është i talentuar pasi këtë sezon ka shënuar mesatarisht 17 pikë pikë për ndeshje por konkurenca në Lindje është e frikshme. Që të meritonte një vend në “All-Star Game” ai duhet të kalonte lojtarë si Jaylen Brown, James Harden, Trae Young, LaMelo Ball, DeMar DeRozan, Darius Garland dhe Tyrese Haliburton.

Aaron Gordon, Denver Nuggets – Lojtari në fjalë pritet të arkëtojë 600.000 mijë dollarë nga grumbullimi në këtë ndeshje. Edhe pse Nikola Jokiç ka një vend të sigurt mes titullarëve, specialistët mendojnë se skuadra më e mirë e Konferencës të Perëndimit do të vlerësohet duke i grumbulluar dy lojtarë. Gordon këtë sezon po shënon 16.8 pikë për ndeshje. Gjithsesi ende asgjë nuk e sigurt pasi për të merituar një vend mes rrezervave do t’i duhet të mposhtë konkurencën e emrave si Anthony Davis, Paul George dhe Jaren Jackson Jr.

Domantas Sabonis, Sakramento Kings – Lojtari paguhet në sezon me 18.5 milionë dollarë, të cilët shkojnë deri në 19,8 në rast se do të jetë pjesë e “All-Star Game”. Për shumë specialistë Sabonis duhet të ishte mes titullarëve, por vendin e tij e mori Zion Williamson. Falë kontributit të tij, Kings janë të tretët në Konferencën e Perëdimit.

Jrue Holiday, Miluoki Bucks – Skuadra dhe lojtari në fjalë kanë thyer një rekord me kontratën e firmosur. Asnjë lojtar i NBA nuk ka kaq shumë bonuse sa Holiday. Njëri mes 15 bonuseve ka lidhje me pjesëmarrjen në “All-Star Game” dhe do të “pasurojë” Holiday me 324.000 mijë dollarë. Shifër kjo “e vogël” krahasuar me pagën prej 33 milionë dollarësh në total. Gjithsesi për Holiday ftesa në “All-Star Game” është speciale pasi rikthehet në në këtë aktivitet pas plot 10 vitesh. Për herë të fundit shkoi si lojtar i Filadelfias.

Julius Randle, Nju Jork Knicks – Randle ka një kujtim më të vonshëm për “All-Star Game” pasi ka qenë pjesë e saj në 2021. Në rast se do të ftohet këtë sezon atëherë do të përfitojë një bonus prej 1.200.000 milionë dollarësh.

Jaylen Brown, Boston Celtics – Lojtari i Boston humbi vendin e titullarit për vetëm 24.000 mijë vota. Publiku preferoi Donovan Mitchell dhe Kyrie Irving. Por numri 7 i Boston ka ende shanse që të përfitojë bonusin prej 1.500.000 milionë dollarësh që i ka vendosur klubi në rast grumbullimi. Gjithsesi në këtë rast Boston ka lidhur pjesëmarrjen në “All-Star Game” edhe me numrin e prezencave në sezon. Brown do të ketë mundësi që të përfitojë shifrën e madhe vetëm në rast se do të jetë në “All-Star Game” si dhe të luajë edhe 65 ndeshje në këtë sezon. Deri më tani ai ka luajtur 45 dhe ka humbur vetëm 6. Brown është në rrugë të mirë për të arkëtuar 1.5 milionëshin…