Titulli i shpëtoi nga duart, por Europa është mundësia për të stabilizuar llogaritë, e pavarësisht se kalimi i raundit bën të ndihen inkasimet nga UEFA, ndryshimet në organikë pas investimeve të çmendura të sezonit të kaluar ishin të pashmangshëm. Nuabueze, Musta, Xhixha apo dhe vëllezërit Selmani e kanë detyruar trajnerin Shpëtim Duro të rindërtojë edhe njëherë skuadrën, duke mbuluar boshllëqet e duke u përpjekur ti japë cilësi të tijve, për të vazhduar të jetë kompetitiv.
Shumë mund të ishin edhe skeptikë, por lëvizjet e bëra kanë rezultuar të goditura, duke ekuilibruar forcat në skuadër. Roganoviç, 24-vjeçari malazez është shprehur në fushë kundër Podgoricës sikur luante prej kohësh në krah të Malotës dhe Ignjatoviç. Të njëjtin impak dha edhe shqiptaro-maqedonasi, Bashkim Velija. Mesfusha është marrë në duar nga Lushkja, që vitalizon sulmin e ndihmon mbrojtjen, edhe pse punën e “pisët” e bëjnë Shehu e Deliu.
Përpara reparti është krejtësisht inovativ, duke qenë se Harmon vazhdon të jetë peng i problemeve burokratike, që e mbajnë më tepër larg kurbinasve se sa pjesë të skuadrës për të ardhmen. Zarubica debutoi kundër ish-skuadrës së tij. Guindo, i ardhur nga Bylisi luajti qendërsulmuesin, në pritje të ndonjë lëvizje të mundshme në merkato në një pozicion të kërkuar me kohë nga Duro, ndërsa Mazrekaj mbetet pika e referimit të një lojtari diferencues.
Në ndeshjen e parë barazimi i shpëtoi vetëm nga 11-metra, në të dytën Duro mori një 3-0 që e lancoi drejt raundit të dytë të Conference League, rastet e shpenzuara para portës të panumërta, ndërsa dhe në ato pak raste që lejoi, Sherri ishte një saracineskë që u thye vetëm një herë me penallti. Kaq mjafton për të patur bazat, që sipas fjalëve të Duros, nëse palët vazhdojnë bashkëpunimin, që nga rezultati duket e logjikshme, atëherë parashikohen dhe dy lëvizje të tjera që do ti shtojnë vlerë një skuadre që tani të fortë.