RTSH Sport Live

Nedim Bajrami, katër klube në garë

  • 14/01/2022
  • |
  • Kombëtarja
Nedim Bajrami, katër klube në garë
Juventusi futet në “vallen” e skuadrave që dëshirojnë shqiptarin

Nedim Bajrami mund të largohet pas pak ditësh nga skuadra e Empolit. Mesfushori kuqezi është kthyer në një nga emrat më të lakuar të tregut të futbollistëve në Itali pasi në garë, përveç Cagliarit, Sassuolos dhe Lazios, gjatë orëve të fundit është futur edhe Juventusi. Është pikërisht Sassuolo që po shkel gazin në maksimum për ta transferuar numrin 10 nën urdhrat e trajnerit Dionisi që ka kërkuar me ngulm shqiptarin por dëmtimi i Chiesas në Torino e ka shtyrë edhe Allegrin të hedhë një sy nga Empoli.

Klubi toskan beson se lojtari mund të rritet edhe më shumë prandaj nuk dëshiron ta lejë të lirë në këtë sesion merkatoje por presioni është i madh dhe për më tepër, Bajrami mund t’u bëjë punë shumë skuadrave me nivel më të lartë në këto momente. Vlera e kartonit të 22-vjeçarit mbetet 10 milionë Euro ndërsa askush nuk e ka bërë hapin e madh për ta derdhur këtë shumë menjëherë.

Momentalisht Juventusi po monitoron situatën ashtu si edhe Lazio, që gjithsesi ka prioritete të tjera përpara Bajramit, ndërsa Sassuolo kërkon ta shhkëpusë në formë huazimi. Këto janë ditë reflektimi për Empolin dhe vetë lojtarin që po përjeton një sezon shumë pozitiv ku ka shënuar 7 gola mes kampioonatit dhe Kupës së Italisë.