RTSH Sport Live

Nevil Dede, trajneri i ri i Dinamos

  • 08/07/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Nevil Dede, trajneri i ri i Dinamos
Tekniku 47-vjeçar dhe presidenti Adrian Bardhi nënshkruajnë kontratën e bashkëpunimit

Dinamo konfirmon zyrtarisht, Nevil Dede do të jetë trajneri i ri i bluve për sezonin 2022-2023, ndërsa 18 herë kampionët e Shqipërisë do të duhet ta rinisin dhe një herë tjetër nga Kategoria e Parë, teksa në përfundim të sezonit 2021-2022 u rrëzuan nga elita e futbollit shqiptar.Tekniku 47-vjeçar do të drejtojë projektin dinamovit drejt rikthimit në elitën e futbollit. E në fakt kishte ditë që emri i Nevil Dedes qarkullonte në qarqet dinamovite si trajneri i ri i bluve, kurse gjatë së premtes presidenti i bluve, Adrian Bardhi, dhe tekniku i sapozgjedhur kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin, si dhe kanë nënshkruar kontratën e re.

Një kontratë, e cila do të zgjasë deri në fund të sezonit, pas së cilës nëse arrihet objektivi për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore do të ketë dhe zgjatje të mëtejshme. Nevil Dede vjen me suksesin e ngjitjes së Erzenit në Kategorinë Superiore, ndërsa pritet që një objektiv të tillë ta arrijë dhe me blutë. Tanimë pritet të nisë dhe puna për ndërtimin e skuadrës, e cila do të përfaqësojë Dinamon në Kategorinë e Parë për sezonin 2022-2023.