RTSH Sport Live

Nga Derbi në Kupë, Daja beson: Është rikthyer qetësia

  • 16/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Nga Derbi në Kupë, Daja beson: Është rikthyer qetësia
“Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por natyrshëm kjo qetësi duhet të na shërbejë për të shfaqur nesër të gjithë vlerat tona maksimale”

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka komentuar në funksion të ndeshjes së Kupës, ku përballë në çerekfinale do të ketë një skuadër shumë të fortë, siç është Laçi. Sipas tij, mundësitë janë të barabarta për të dyja skuadrat, por ndërkohë nuk harron të theksojë se fitorja e fundit, ajo në derbi, ka sjellë qetësinë e munguar në kampin e kuq.

“Është një ndeshje që kualifikimi është 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani në kampionat. Luhet jashtë, por është pa tifozë dhe gjithçka është e barabartë. Ne do luftojmë me gjithë potencialin që kemi dhe nesër e kemi pothuajse të gjithë kontingjentin në dispozicion, përveç Ferhan Hasanit”.

“Në kampionat mund të bësh ndonjë hap fals, kurse në Kupë edhe me këtë sistem që është tani me një ndeshje shkon drejt kualifikimit ose jo. Duhet ta mendojmë si një 90 minutësh ku duhet të japim gjithçka”.

Partizani për maksimumin në Kupë?

Shkojmë me maksimumin, pasi edhe rrugëtimi në kampionat është akoma i gjatë. Janë shumë pike në lojë dhe shumë javë. Objektiv kemi edhe Kupën. Nesër shkojmë me maksimumin e përqëndrimit në këtë ndeshje”.

Ndikimi i triumfit kundër Tiranës?

“Mendoj se me fitoren në derbi ka qenë një kthesë mjaft e mirë në aspektin psikologjik, pasi dihet triumfi në derbi veç tre pikëve të jep edhe një bonus psikologjik. Mendoj që kishim një ngërç në rezultate, por e përsëris për të disatën here nuk kishim shumë probleme me lojën ajo që në fund fare të jep garancinë për vazhdimësinë. Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por natyrshëm kjo qetësi duhet të në shërbejë për të shfaqur nesër të gjithë vlerat tona maksimale”.

Frikë nga euforia në derbi?

“Ky kampionat është aq i ngjeshur, ndaj nuk mund të mendosh dot për eufori. Çdo 3 ditë luhen ndeshje. Sa mbaron një ndeshje nuk ke kohë as të gëzosh as ndoshta të mërzitesh, sepse duhet të përgatisësh ndeshjen tjetër. Mendoj që përveç atij bonusi që thashë nuk ndikon në asnjë gjë tjetë”r.

Rinovimet?

“Të mërkurën vjen edhe Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, dhe do të ulemi direkt e të flasim. Natyrshëm që do ta nisim me kontigjentin që kemi, sepse nuk mund të riformatojmë një ekip nga fillimi, një ekip që ka pretendime me objektivat maksimale siç është Partizani. Pra do ruajmë pothuajse një përqindje shumë të madhe të ekipit aktual dhe do mundohemi ta plotësojmë ekipin aty ku kemi shfaqur probleme  deri tani . Do të mundohemi që të plotësojmë ekipin në mënyrë që të kemi këtë kontigjent dhe ta përforcojmë edhe më shumë”.

Ferhan Hasani kur mund të rikthehet dhe Asani do qëndrojë edhe sezonin tjeter?

“Besoj që nëse nuk do të ketë probleme me dëmtimin që ka patur, mendoj që mbas grumbullimeve të ekipeve kombëtare mbas ndeshjen me Teutën mund të jetë i gatshëm të na ndihmojë për vazhdimësi. Asani është një lojtar shumë i rëndësishëm për Partizanin. Mendoj që të gjithë bashkë e kemi në listen tone , sikurse kemi edhe shumë lojtarë të tjerë të formacionit por edhe të stolit të Partizanit. Megjithatë, do ulemi së bashku edhe me drejtorin për të konkluduar për anën financiare dhe më pas do vendosim të gjithë bashkë çfarë do bëhet në të ardhmen”.