Kristjan Asllani është një nga futbollistët shqiptarë që ka shpërthyer në këtë sezon të Serisë A të Kampionatit Italian të Futbollit dhe 20-vjeçari e ka shfrytëzuar më së miri mundësinë që iu dha me skuadrën e parë të Empolit. Shqiptari ka marshuar përpara në skuadrat zinxhir të këtij klubi, pjesë e të cilit është që nga viti 2018, duke u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm në gjysmën e dytë të sezonit, duke debutuar edhe fanellën e Kombëtares kuqezi në humbjen 1-2 në miqësoren e 26 marsit me Spanjën dhe duke qenë titullar në barazimin pa gola 3 ditë më pas në miqësoren në shtëpi me Gjeorgjinë.
Tanimë është e përditshmja prestigjioze sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, që raporton se i riu shqiptar ka tërhequr vëmendjen e dy gjigandeve të Milanos, Interit dhe Milanit. Zikaltërit e shohin shqiptarin si zëvendësues të denjë të Brozoviçit, duke vlerësuar ritmin e tij të lojës, që e kanë krahasuar me fuqinë e Barelës. Media italiane në fjalë thekson trajneri Simone Inzagi e pëlqen shumë Asllanin, duke veçuar faktin se Empoli i tij triumfoi edhe në Kampionatin italian të të rinjve sezonin e shkuar, duke mundur 5-3 në finale Atalantën, teksa shqiptari shënoi edhe golin e parë të skuadrës së tij. Megjithatë, Interi do të ketë përballë sfidën e derbit me Milanin në luftë për firmën e futbollistit të ri, teksa kuqezinjtë i kanë marrëdhëniet e mira me Empolin, nga ku kanë marrë më herët edhe Benaserin. Sido që të jetë, Empoli pritet të arkëtojë një shumë të majme për shitjen e Asllanit, të cilin “La Gazzetta dello Sport” e veçon për faktin që luan me topin në këmbët e tij dhe di të luajë përpara mbrojtjes.
Sipas prestigjiozes sportive italiane, shqiptari nuk vrapon më shumë se kroati i Interit, Brozoviç, i cili përshkon mesatarisht 11.7 kilometra për ndeshje, një rekord në Serinë A, por vrapon më shumë se Barella, ne Asllanin që përshkon 11 km dhe italianin 10.9 km. Me pak fjalë, pritet një verë e nxehtë në merkato për futbollin kuqezi të Empolit.