RTSH Sport Live

Novak Xhokoviç tronditen edhe sponsorët

  • 19/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Novak Xhokoviç tronditen edhe sponsorët
Tenisti serb rrezikon të humbasë një kontratë me vlerë afro 42 milionë dollarë

Sporti në ditët e sotme nuk është më thjesht i tillë, por edhe një industri, për të mos thënë, e rëndë dhe biznes i mirëfilltë. Këtë po e provon në xhepat e tij edhe Novak Gjokoviçi, i cili po përballet me një problem prej 42 milionë dollarësh, teksa sponsorët e tij po reflektojnë pas fiaskos së tij dyjavore që përfundoi me dëbimin nga Australia.

Mësohet se një nga sponsorët kryesorë të tenistit serb do ta shqyrtojë me vëmendje atë që ndodhi me nr. 1 të renditjes botërore të meshkujve dhe mund edhe ta anulojë bashkëpunimin me të. Ka qenë kompania franceze e prodhimit të veshjeve “Lacoste”, që ka deklaruar se, sapo të jetë e mundur, do të kontaktojë me tenistin 34-vjeçar, për të rishikuar gjithçka që ndodhi me gjatë qëndrimit të shumëdiskutuar në Australi.

Sipas revistës “Forbes”, ai përfiton 41.6 milionë dollarë nga kjo marrëveshje sponsorizimi, por kjo shumë mund të ulet ndjeshëm ose të anulohet, për shkak të qëndrimit të tij ndaj vaksinimit dhe të ardhmes së tij në “grend slem”-et e tenisit.

Dy sponsorë të tjerë, një kompani e prodhimit të automobilave dhe një tjetër e prodhimit të veshjeve dhe pajimeve sportive, nuk janë shprehur ende lidhur me këtë çështje, ndërsa një kompani zvicerane e prodhimit të orëve ka vendosur t’i qëndrojë besnike serbit.

Ndërkaq, një tjetër sponsor, një bankë austriake, ka deklaruar se po e monitoron situatën, por nuk do të ndërmarrë hëpërhë ndonjë hap tjetër.