RTSH Sport Live

Olimpiada “Paris 2024”, dhimbje koke për Macron

  • 26/07/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Olimpiada “Paris 2024”, dhimbje koke për Macron
Buxheti dhe siguria shqetësojnë edhe presidentin Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbledhur ministrat më të lartë për të trajtuar çështjet që shqetësojnë në përgatitjet për Olimpiadën Paris 2024, pothuajse dy vjet para se të nisë kjo veprimtari. Lojërat Olimpike janë një pjesë kryesore e mandatit të dytë të Macron-it të sapozgjedhur, duke projektuar imazhin e një France të qetë në identitetin e saj modern, por të hapur ndaj botës.

Siguria dhe buxheti janë dy çështjet që e kanë detyruar Macron të mbledhë në takim në Pallatin Elysee Ministrin e Brendshëm Gerald Darmanin, Ministren e Sporteve Amelie Oudea-Castera si dhe kreun e komitetit organizativ të Parisit, tre herë olimpik të sllallomit në kanoe Tony Estanguet.

Presidenti u ka kërkuar ministrave të tij të shikojnë me përparësi se ku janë pikat e dobëta të organizimit. Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike COJO ka një buxhet prej katër miliardë eurosh, ashtu si organizata e tij partnere SOLIDEO, e cila është e ngarkuar me ndërtimin e infrastrukturës periferike. Por rritja e inflacionit do të thotë se duhet të krijohen siguri financiare dhe deri më tani, janë gjetur sponsorë të pamjaftueshëm për të mbushur boshllëqet.

Siguria është një tjetër dhimbje koke për organizatorët, veçanërisht pasi vizioni i Lojërave është të zhvillohen shumë ngjarje në qendër të Parisit. Përveç forcave franceze të sigurisë, mbi 20,000 agjentë privatë të sigurisë duhet të punësohen për të siguruar që Lojërat të vazhdojnë. Ndërkohë organizatorët e Lojërave Olimpike Paris 2024 zbuluan sloganin e kësaj olimpiade, "Lojërat e hapura gjerësisht", ndërsa njoftuan se tifozët mund të aplikojnë për bileta në muajin dhjetor.

Slogani u publikua së bashku me një video që premtonte se Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike do të ishin "më të shpejta", "më të larta" dhe "më të forta" -- si dhe "më përfshirëse, më vëllazërore, më të bukura". Një total prej 13 milionë biletash do të shiten për dy ngjarjet, me gati gjysma e biletave të rezervuara për publikun që do të shiten me më pak se 50 euro.

"Slogani i Lojërave Paris 2024 do të jetë "Lojërat e hapura gjerësisht", sepse kjo është ajo që na shtyn që nga fillimi. Eshtë ADN-ja jonë që të jemi shumë ambicioz, duam t'i hapim lojërat gjerësisht dhe emocionalisht, të përcjellim energji pozitive për të gjithë botën. Kjo është  sfidë edhe për shoqërinë tonë” –tha Tony Estanguet, President i Komitetit Organizativ Paris 2024.