RTSH Sport Live

Olsi Rama: Arbitrat, një skuadër që lufton për mbijetesë

  • 21/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Olsi Rama: Arbitrat, një skuadër që lufton për mbijetesë
"Kemi shumë probleme, duke filluar nga mungesa e publikut, luajmë në Elbasanin se nuk luajmë dot në Tiranë. Edhe arbitrat janë një pjesë"

“Arbitrat janë një skuadër që luftojnë për mbijetesë, jo vetëm për skuadrën e Partizanit, por për kampionatin në përgjithësi”. Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, në një lidhje direkte me Rubrikën Sportive në RTSH, nuk kishte se si të mos komentonte dhe arbitrimin që u shpalos në derbin e luajtur në Elbasan Arena. Nuk dëshiron të polemizojë, aq më tepër që skuadra e tij fitoi, por nuk mund të anashkalojë faktin se kjo pjesë e futbollit në Shqipëri lënë shumë për të dëshiruar.

“Është e tepërt të flas për arbitrimin pas fitores, jo se nuk kam çfarë të flas. Kemi shumë probleme, duke filluar nga mungesa e publikut, luajmë në Elbasanin se nuk luajmë dot në Tiranë. Edhe arbitrat janë një pjesë. Shpesh e them që  janë një e keqe e domosdoshme, nuk dua të bëj polemikë. E kam thënë gjithmonë që është një ndeshje e rëndësishme, por edhe me çdo skuadër tjetër është njëlloj e rëndësishme se janë tri pikët në lojë”.

 “Arbitrat janë skuadër që lufton për mbijetesë në rastin më të mirë,  jo vetëm në ndeshjet e Partizanit. Është për të ardhur keq, se ndikojnë mbarëvajtjen e garës. Unë dua një metër arbitrimi, të di kush janë faullet, penalltitë e kush sanksionohet me kartona. Ky metër ndryshohet çdo javë, një herë prekja me dorë është penallti e një herë jo. Nuk jam arbitër, jam drejtori i Partizanit e duhet të mbroj interesat e klubit dhe Superiores se të gjithë drejtuesit hasen me këto lloj vështirësish”, ka deklaruar Rama për RTSH.

“Tri pikët na kënaqin, por na kënaq edhe mënyra se si u shfaq skuadra në lojë, me disiplinën e entuziazmin. Më gëzon fitorja, porn ë të njëjtën kohë më sjell në mendje pikë e lëna gjatë rrugës, që me këtë lojë do të ishim më lart në renditje, ku ekipi e meriton të jetë”.

“Goli i shënuar nga Çinari? Ishte qershia mbi tortë, e meriton. Gjithçka që përjetoi, nuk është faji i tij, është  një nxitim i një lojtari shqiptar që kërkon të provojë aventurën jashtë. Kushdo që mund  të shënonte, do të më gëzonte. Por të gjithë u kënaqëm që ishte Çinari, që shënoi. Kjo ishte hera e dytë, sepse na ka dhënë fitoren edhe në vitin e titullit”.

“Merkato? Po punojmë shumë. Nuk është e thjeshtë, janë operacione që kushtojnë në këtë periudhë, i takon stafit të vendosë se cilët janë lojtarët që do të afrojmë”.