RTSH Sport Live

Orges Shehi kërkon edhe Kupën

  • 25/04/2023
  • |
  • Kupa e Shqipërisë
Orges Shehi kërkon edhe Kupën
Trajneri i Tiranës synon dy trofe këtë sezon me bardheblutë

Tirana i ka të gjitha mundësitë për të bërë mirë në të dyja kompeticionet ku është në garë aktalisht. Të mërkurën radhën e ka Kupa e Shqipërisë. Jemi në fazën gjysmëfinale ku bardheblutë do të sfidojnë Teutën në 2 ndeshje shumë të rëndësishme për sezonin e skuadrës së Orges Shehit në këtë moment të ngjeshur. 

“Është pika kulminante e të gjithë sezonit. Për ekipet që janë në Kupë është edhe pak më e vështirë. Me kontigjentin e lojtarëve që kemi do të mundohemi që të rikuperojmë energjitë e humbura në takimin me Vllazninë dhe të përqëndrohemi në duelin e radhës”, nisi fjalën e tij Orges Shehi.

Tekniku bardheblu nuk do të bëjë rotacion të bollshëm pasi ky është një objektiv që nuk kërkon ta humbasë.“Do të aktivizoj lojtarët, të cilët kanë mbajtur peshën më të madhe gjatë të gjithë sezonit”, pohoi tekniku bardheblu.  

Teuta mbetet një kundërshtar shumë i vështirë për Tiranën që gjatë dy sezoneve të fundit kanë pësuar edhe disfata të papritura ndaj “Djemve të detit”. “Do të përballemi me një ekip, i cili shpesh herë na ka vendosur në vështirësi gjatë këtij sezoni”, tha Shehi.

Tekniku durrsak e pranon që kurorëzimi i këtij sezoni me dy tituj do të ishte një moment kulminant në karrierën e tij. “Tirana është një klub, i cili gjithmonë ka uri për trofe prandaj nesër do të bëjmë maksimumin të hedhim bazat e kualifikimit në finale”, përfundoi numri një i stolit bardheblu.