RTSH Sport Live

Oriku, barrikadë për Partizanin

  • 28/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Oriku, barrikadë për Partizanin
Përpara derbit me Tiranën, të kuqtë barazojnë në Kupën e Shqipërisë, të tjerët zgjidhin kualifikimin

Kupa e Shqipërisë ka luajtur ndeshjet e fundit të raundit të parë në grupet A dhe B. Bëhet fjalë për ndeshjet e para, ndërsa Oriku, si skuadër vendëse, ka pranuar të luajë në fushën e Partizanit, edhe sepse kjo e fundit bëri si të thuash inaugurimin e kompleksit të ri. Por dhe pse ndodhi kështu, ndërsa të dielën skuadra e kuqe luan derbin me Tiranën, Partizani nuk ka shkuar më shumë se sa barazimi 0-0 duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, në të njëjtën fushë më 12 tetor.

Nisur dhe nga derbi me Tiranën, Kolela nuk ka luajtur me të gjithë titullarët e tij. Që nga porta me Hoxhën e deri tek më i fundit në pjesën më të madhe ishin lojtarë rezervë. Për Orikun, që luan në Kategorinë e Parë, është rezultat historik, ndërsa kështu skuadra motivohet më shumë për të dhënë më të mirën në vazhdimin e kampionatit.

Në ndeshjet e tjera, bie në sy fitorja e Tiranës, 3-0 në transfertë me Veleçikun, kjo pas golave të Hilës, Berishës dhe Limajt. Po kështu një fitore në transfertë ka marrë Dinamo, 1-0 në Sarandë ndaj Butrintit.

E vetmja skuadër shtëpiake që fitoi në grupin A ishte Lushnja, 2-0 ndaj Tërbunit. Në grupi B, Burreli fitoi ndaj Tomorit, 2-1, kurse Egnatia shfrytëzoi mjaft mirë transfertën peqinase për të mbyllur çështjen kualifikim. Ndeshjet e kthimit luhen më 12 tetor.

REZULTATET

Grupi A

Partizani – Oriku 0-0

Veleçiku – Tirana 0-3

Lushnja – Tërbuni 2-0

Butrinti – Dinamo 0-1

Grupi B

Burreli – Tomori 2-1

Shkumbini – Egnatia 0-3