Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç në volejboll për djem e ka humbur dhe ndeshjen e tretë në Kampionatin Ballkanik, i cili është duke u zhvilluar në Prishtinë. Në ndeshjen e tretë ndaj Maqedonisë së Veriut, ndoshta jashtë çdo parashikimi, kjo dhe për shkak të lodhjes së një dite më parë në ballafaqimin me Turqinë, kuqezinjtë nuk kanë dhënë më të mirën e tyre. 22-25 seti i parë për maqedonasit.
16-25 seti i dytë po për maqedonasit dhe 21-25 i treti, që do të thotë se kanë çeduar në pikët e fundit. Tanimë për skuadrën e trajnerit Arben Sako kanë mbetur dhe dy ndeshje për t’u luajtur. Ajo me Kosovën dhe me Malin e Zi, të paktën sa për të gjetur fitoren e nderit e për të mos e mbyllur këtë ballkaniadë në vendin e fundit në renditje.
Ndërkohë në ndeshjet e tjera, Bullgaria ka fituar 3-1 ndaj Malit të Zi dhe Turqia ka mundur 3-0 Kosovën, ndërsa Ballkaniada përfundon më 24 korrik.