Në një kohë që klubi po punon me gazin në maksimum për të forcuar sa më shumë organikën për pjesën e mbetur të sezonit, trajneri Dritan Mehmeti është fokusuar tërësisht te puna me skuadrën që ka në dispozicion. Transferimi i Skukës dhe Kallakut e forcon jo pak organikën aktuale, por tekniku kryeqytetas me siguri pret edhe disa dhurata të tjera për të kompletuar grupin aktual.
Largimi i Ilir Dajës nuk riktheu në stol vetëm Mehmetin por edhe një njohje të vjetër si Corrado Saccone, përgatitëti atletik i të kuqve, ndërsa në sulm pritet ende një lojtar që mund të sigurojë gola për të rithyre skuadrën minimalisht në zonën europiane. Trajneri Dritan Mehmeti do të nisë aventurën e tij në krye të stolit të kuq me një sfidë të lehtë në letër përballë Egnatias.
90 minuta që mund t’i sigurojnë jo vetëm pikë të arta në betejën për zonën e sipërme të klasifikimit, por edhe një dozë të rëndësishme morali për të kuqtë, të cilët do të rikthehen në fushë pas shuplakës së marrë në kohën shtesë të derbit ku regjistruan humbjen e dytë sezonale përballë Tiranës.
Pas Egnatias do të jetë radha e Kastriotit, një tjetër skuadër që ka treguar formë të dobët në 15 javët e para të Superiores. Dy përballje që me emrat aktualë në organikë, Partizani mund t’i kalojë lehtësisht për të bërë më pas llogaritë me një tjetër tur force.