RTSH Sport Live

Partizani, Colella: Në stadiumin e ri, me këmbën e mbarë

  • 13/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Colella: Në stadiumin e ri, me këmbën e mbarë
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella në konferencë për shtyp

Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka dalë në një konferencë për shtyp gjatë paradites të së dielës duke komentuar në funksion të sfidës me Bylisin, që do të luhet në stadiumin e ri në pronësi të të kuqve, ditën e hënë në orën 16:00. Një ndeshje e veçantë për të kuqtë, të cilët duan ta nisin me këmbë të mbarë në shtëpinë e tyre të re, por në të njëjtën kohë të japin përgjigjen e duhur dhe ndaj rezultateve të fundit.

“Sigurisht që është krenari përsa i përket anës time personale, duke qenë se jam trajneri i parë që do të drejtoj skuadrën dhe do të zbres në fushë në stadiumin e klubit, që është një investim madhor që do i shërbejë jo vetëm skuadrës, por në tërësi edhe skuadrave të akademisë. Thashë edhe më parë që jam shumë krenar. Ta them dhe në gjuhën popullore, ta nisim me këmbën e mbarë me një fitore. Ta inagurojmë me një rezultat pozitiv”.

“Dëmtimet? Da Silva dhe Matondo nuk do të jenë të gatshëm dhe për ndeshjen ndaj Bylisit. Mendoj se pas pushimit, lojtarët do të jenë gati. Bylisi më ka pëlqyer shumë në ndeshjen e parë, ishte një skuadër me shumë cilësi dhe shumë mirë e organizuar. Një skuadër e kompletuar dhe agresive. Është normale që kundër nesh çdo skuadër mundohet të japë jo 100%, por 200%”.

“Dy humbjet e pësuara duhet të na shërbejnë për të ndezur motorrët dhe të rikthehemi tek fitorja. Nuk më pëlqen të krijoj alibi, jo stadium i ri, gjendja e terrenit apo gjëra të tjera. Kemi zhvilluar një ndeshje për tu harruar ndaj Egnatias. Kemi luajtur një ndeshje të mirë do të thoja kundër Laçit, por e kemi humbur duke mos marrë asnjë pikë në ato dy ndeshje. Kjo është ajo që më intereson, të tjerat janë vetëm alibi që nuk ekzistojnë”.

“Ndërprerja e Kampionatit? Për mendimin tim ky kampionat do të ketë gjëra pozitive dhe negative nga kjo ndërprerje, sepse është diçka që ndodh për herë të parë në historinë e futbollit. Për mua personalisht, që nuk kam qenë në krye të skuadrës që nga fillimi në përgatitjet e sezonit të ri dhe me të gjitha këto ndeshje që kemi zhvilluar në një hark të ngjeshur kohor, kjo pauz do të më shërbejë shumë”.