RTSH Sport Live

Partizani, Daja beson: Bylisi nuk është i lehtë, por e kemi potencialin

  • 10/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Daja beson: Bylisi nuk është i lehtë, por e kemi potencialin
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka komentuar sfidën me Bylisin, që do të luhet në “Air Albania” të dielën, ora 16:00

Java e 27-të e Kategorisë Superiore do të mbyllet të dielën, me sfidën që do të luhet në “Air Albania” mes Partizanit si skuadër pritëse dhe Bylisit, ora 16:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Ilir Daja është paraqitur në konferencën për shtyp para gazetarëve duke folur në funksion të sfidës.

Së fundmi, dy ndeshje të mira, por ka munguar finalizimi…

“Sigurisht që nuk kemi shkuar tek fitorja tek këto dy ndeshje të fundit, por në pjesën më të madhe të tyre kemi qenë dominues. Ajo që na ka munguar ka qënë finalizimi. Kemi punuar gjatë gjithë javës, pikërisht para portës për të rritur edhe këtë element shumë të rëndësishëm. Kemi të gjithë kontigjentin në dispozicion dhe mendoj se ka ardhur koha që përveç lojës së bukur, të marrim edhe rezultat. Në ndeshjen me Bylisin do të futemi vetëm për fitore, sepse kjo na bën të mundur të vazhdojmë drejt kreut me potencë, sepse ndeshjet e mbetura janë të gjitha finale, deri në fund”.

Partizani nuk fiton në shtëpi përballë Bylisit prej disa vitesh.

“Unë po i referohem vetëm këtij sezoni, sepse statistikat sigurisht që janë për tu përmirësuar dhe për tu ndryshuar. Nuk e di se çfarë ka ndodhur më parë. Jo vetëm për këtë ndeshje, por me Bylisin në përgjithësi janë ndeshje të vështira, sepse ka një tjetër mënyrë të interpretimit të lojës. Besoj se në kushte optimal, siç do të zhvillohet sfida nesër, do të rrezikojmë në maksimum për të marrë fitoren”.

Në tetë ndeshjet e fundit, për pikët e grumbulluara, Bylisi ka një ecuri më të mirë se Partizani.

“Unë jam trajner i Partizanit dhe nuk mendoj ta coptoj kampionatin, nëse i referohemi vetëm 8 javëve. Ne kemi diferencë në tabelën e klasifikimit, që do të thotë se nëse nisemi nga vazhdimësia, kemi bërë një kampionat shumë herë më të mirë. E thashë edhe më parë se Bylisi nuk është një skuadër e lehtë për tu mundur, por ne kemi potencialin dhe motivin e duhur, që nesër të luftojmë për të marrë tri pikët”.

Afrimet e merkatos së janarit?

“Mendoj që ne i kemi rritur pritshmëritë  me lojërat dhe rezultatet që kemi arritur, pasi në fillim të kampionatit askush nuk pretendonte që Partizani do të ishte në garë për titull. Jemi afër kreut, që do të thotë se jo vetëm kemi ndryshuar pritshmëritë, por me atë që kemi treguar, jemi në garë me disa skuadra të tjera për objektivin maksimal. Në merkaton e janarit nuk kemi bërë ndonjë çudi të madhe, sepse skuadra nuk ndërtohet në janar. Presim që në ato pozicione që jemi përforcuar në merkaton e janarit ti shikojmë në vazhdimësi, sepse deri në këto moment qe po flasim ka qënë i njëjti kontigjent që ka startuar nga fillimi, përveç Çinarit dhe Muratajt, kemi patur vetëm katër mbrojtësa. Të gjitha këto nuk janë për tu justifikuar, por për të treguar atë që Partizani ka bërë konkretisht”.

Bylisi, skuadër aggresive. Si do ti përgjigjet Partizani?

“Bylisi e ka këtë llojë elementi në lojën e vet, ne kemi një mënyrë tjetër, por për ti shkuar përgjigjes do të thoja se ne duhet të jemi shumë të shpejt. Ky është agresiviteti që kemi ne si grup, të përfshijmë Bylisin në ritmin tonë, për të qënë agresiv në kapjen e hapësirave, sidomos hapësirave ku shënohet gol”.

Zhvillimi i ndeshjes në “Air Albania”?

“Në ndeshjet e zhvilluara në ‘Elbasan Arena’ ne nuk jemi ankuar asnjëherë për fushën. Në të njëjtën gjendje është dhe ‘Air Albania’. Besoj që kushtet për të luajtur futboll janë optimal dhe mbetet vetëm ti shfrytëzojmë këto mundësi që na krijon klubi për të patur një performancë sa më të mire”.