RTSH Sport Live

Partizani, Daja: Të bëjmë një ndeshje dinjitoze

  • 28/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Partizani, Daja: Të bëjmë një ndeshje dinjitoze
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja në konferencë për shtyp në funksion të ndeshjes së kthimit me Bazel, të enjten në “Elbasan Arena”, ora 20:00

Partizani bëhet gati për ndeshjen e kthimit me Bazel, të enjten në “Elbasan Arena”, ora 20:00. Një “mision i pamundur” për të besuarit e trajnerit Ilir Daja, të cilët janë mundur 3-0 në ndeshjen e parë përballë zviceranëve. Duke njohur nivelin e kundërshtarit, duket e pamundur për të kuqtë që të arrijnë një përmbysje, pavarësisht se mrekullitë edhe ndodhin.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Daja ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të kësaj sfide. Ai e pranon se gjithçka është e komplikuar, por nuk nguron të theksojë se Partizani do të bëjë lojën e tij në këtë sfidë.

“Ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Bazel është një ekip shumë cilësor edhe me traditë. Nga viti 2000 marrin pjesë rregullisht në kompeticione europiane disa herë kanë qënë dhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Rezultati i arritur në ndeshjen e parë është një hap i madh për kundërshtarin. Ne do të hyjmë në fushë jo të dorëzuar, por të paktën të bëjmë më të mirën e mundshme përballë tifozëve tanë. Shpresojmë të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit dhe ta ndjejmë mbështetjen e tyre direkt, pasi na kanë munguar gjatë gjithë sezonit të kaluar. Mbështetjen e tyre e provuam në takimin e parë që zhvilluam përballë moldavëve të Sfintul”.

Shanse për kualifikim?

“Nëse kundërshtarit do ti lejojmë shumë hapësira, sigurisht që ka kualitete për të na goditur. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, pavarësisht se nuk kemi se çfarë të humbasim. Nuk do të hyjmë në fushë që të prishim ekuilibrat, do të ndërojmë lojën tonë, që pak a shumë të jemi grup në të dyja fazat e lojës. E dimë që është e vështirë, por këtu të përpiqemi të bëjmë një paraqitje pozitive.

Do të ndryshoni diçka nga ndeshja e parë?

“Fakti që dje në seancën stërvitore na është dëmtuar edhe Marku, na bën që të ndryshojmë. Mungesa e Mustës dhe Markut na detyron të bëjmë ndryshime, sepse janë dy lojtarë të formacionit. Do të ndryshojmë gjithashtu dhe për faktin se kemi informacion nga ndeshja e parë. Shpresojmë të gjejmë strategjinë e duhur për të bërë një ndeshje dinjitoze”.

Keni filluar të mendoni për sezonin e ardhshëm?

“Nëse do të kishim kontigjentin e sezonit të kaluar, do ta kishim më të lehtë prezantimin. Ne kemi menduar për sezonin e ri që kur kemi filluar fazën përgatitore, për tu përgatitur për Ligën e Konferencës, me një grup që do të jetë pjesa dërrmuese për sezonin e ardhshëm me afrimet që kemi bërë. Kemi kohë për të plotësuar ekipin, sepse dihet që Partizani ka objektiva maksimalë dhe kampionati është i gjatë. Na duhet që ekipi të plotësohet më shumë për të shtuar rivalitetin, për të patur sa më pak problem në gjithë vazhdimësinë e kampionatit.

Ku do jenë konkretisht afrimet?

“Ne punojmë si staf. Do të ulemi menjëherë pas ndeshjes me Bazel për të përcaktuar strategjinë në vazhdim dhe aty do të përcaktojmë drejtimin që do i japim pjesës së dytë të merkatos së verës”.