RTSH Sport Live

Partizani dhe Egnatia ndajnë pikët

  • 18/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani dhe Egnatia ndajnë pikët
Mbyllet 1-1 përballja e javës së 4-t midis Partizanit dhe Egnatias

Partizani ka pritur të hënën në stadiumin “Arena e Demave”, në kryeqytet Egnatian, në takimin e vlefshëm për javën e 4-t të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në atë që ishte në fakt takimi i 3-të për të kuqtë, teksa javën e parë u ishte krijuar luksi i moszhvillimit të ndeshjes së javës së parë, asaj ndaj Teutës, për shkak të pjesëmarrjes në fazën e “play-off”-it të Ligës së Konferencës, aty ku u eliminua përballë kazakëve të Astanës. Dhe ndeshja ka nisur mjaft mirë për skuadrën kryeqytetase, të drejtuar nga trajneri Zoran Zekiç, pasi ajo e ka gjetur epërsinë pas vetëm 6 minutash lojë, me anë të atij që nuk ka vonuar të bëhet instrumental në rezultatet e të kuqve, Bintsukës.

Megjithatë, Egnatia ka reaguar dhe e ka zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe, në minutën e 23-të, Fernando Medeiros, ka barazuar shifrat me një gol të jashtëzakonshëm. Madje skuadra mike do të ketë mundësi të përmbysë shifrat në minutat e fundit të pjesës së parë, kur ka fituar një 11-metërsh, por goditja e Duamenës nga pika e bardhë, është grushtuar nga portieri Alban Hoxha. Kështu 45 minutat e para mbyllen në barazim 1-1, ndërsa ato të dytat kanë parë një lojë të hapur të të dyja skuadrave, që kanë kërkuar golin që do të ndryshonte shumëçka.

Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, që duhet thënë se nuk kanë munguar, por ajo që ka munguar ka qenë qartësia në ndërtimin e aksioneve dhe finalizimi para portave përkatëse, dhe përtej 45 minutave të kohës së rregullt dhe aty 8 shtesë që u bënë thuajse 10, ky gol nuk ka ardhur dhe mbyllet në barazim 1-1 sfida midis Partizanit dhe Egnatias, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë.