RTSH Sport Live

Partizani dorëzohet në Bazel

  • 22/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Partizani dorëzohet në Bazel
Skuadra e Dajës shpërdoron shanset për gol, mbyllet 3-0

Partizani nuk ia ka dal të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës kunder zviceranëve të Bazel.  Ashtu siç pritej, ndeshja u dominua nga vendasit, të cilët në fund u shperblyen me fitoren e pastër 3-0. Skuadra e Ilir Dajës kishte disa mundësi shënimi, por nuk finalizoi si duhet.

Takimi nisi me vendasit në ofensivë dhe me të kuqtë të rreshtuar disi të drojtur dhe me kujdes të tepruar në prapavijë, aty ku përveç Belicës dhe Shehit, në qendër shihet edhe Damcevski. Dalja e parë në sulm për Partizanin vjen në mesin e pjesës së parë me Carën që provon të gjejë portën nga distanca.

Bazel kalon në avantazh në minutë e 43-të, Stoker shfrytëzon maksimalisht gabimin në mbrojtje të kundërshtarëve dhe mbyll aksionin duke dërguar topin në rrjetë.  1-0 mbyllet pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë nis me rastin e parë konkret për të kuqtë, por Cara në pozicion të volitshëm nuk gjen dot kordinimin me topin.

Pak minuta më pas zviceranët dyfishojnë rezultatin me një supergol. Artur fiton duelin me Shehin dhe me një veprim të bukur le të palëvizur Hoxhën. Partizani nuk dorëzohet dhe në të 60-ën Lukas Kardozo hyn bukur në zonë, por pa mundur të japë një goditje të saktë.

Përsëri braziliani në të 65-tën, që këtë herë çon dëm shansin më të pastër të ndeshjes për Partizanin, i vetëm nuk arrin të gjuajë në kuadrat dhe e dërgon topin në tribunë.

Ky episod i jep fund tentativave të të besuareve të Ilir Dajës për të ngushtuar shifrat, dhe më tej Bazel shpërdoron golin e tretë me Zhegrovën në të 75-tën, përpara se Stoker të kompletoj dopietën 5 minuta më pas.  32 vjeçari shënon golin e tretë për Bazelin, rezultati mbetet i tillë deri në fund të ndeshjes.

Partizani luan shanset minimale në takimin e kthimit, pasi do ti duhet një fitore me 4 gola diferencë për kualifikimin, një mision që u ndërlikua së tepërmi nga një sfidë prej së cilës të kuqtë largohen me jo pak pengje.